E Diel, 1 Nëntor 2026

Ibrahimaj: Bizneset rritën investimet, reflekton klimën pozitive ekonomike


TIRANË, 26 shkurt/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, nënvizoi sot se Shqipëria po ecën me hapa të sigurt drejt krijimit të një mjedisi biznesi të barabartë me standardet europiane.

Ajo theksoi se politika e qeverisë synon që çdo sipërmarrje shqiptare të ketë mundësi të operojë në tregun e përbashkët europian, me standarde të njëjta dhe mundësi të plota për të zhvilluar biznesin.

“Ne kemi detyrën të hartojmë politika me qëllim që çdo sipërmarrje shqiptare të jetë në kushte të barabarta me sipërmarrjet europiane, të operojë në tregun e përbashkët europian me standarde të njëjta dhe të përfitojë nga mundësitë e një tregu prej 450 milionë banorësh”, deklaroi Ibrahimaj

Sipas ministres, vitet e fundit kanë shënuar një rritje të qëndrueshme të numrit të bizneseve.

“Vetëm gjatë vitit 2025 janë regjistruar 17,500 biznese të reja, ndërkohë që qarkullimi i përgjithshëm në të gjitha sektorët ka arritur 2.4 miliardë euro, duke reflektuar jo vetëm rritjen e sipërmarrjeve, por edhe zgjerimin e aktivitetit ekonomik”, u shpreh ministrja.

Sektori i turizmit dhe transportit, vuri në dukje ajo, kanë shënuar rritje prej 12%, ndërsa ndërtimi mbetet shtylla kryesore e zhvillimit, duke ndikuar pozitivisht në të gjithë ekonominë.

“Gjatë vitit të fundit ne kemi pasur 2.4 miliardë euro më shumë qarkullim se një vit më parë, të shpërndarë në të gjithë sektorët. Sektorët me performancë më të mirë kanë qenë sektorët e lidhur me turizmin, në të cilët qarkullimi është rritur me 12%, transporti, në të cilin qarkullimi është rritur me 12%. Sektori i ndërtimit pa diskutim është një shtyllë e zhvillimit ekonomik në shumë vende dhe lidhet gjithashtu me turizmin dhe me gjithë sektorët e tjerë”, u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja Ibrahimaj nënvizoi rëndësinë e klimës së biznesit për zhvillimin e qëndrueshëm.

“Ne këto shifra nuk mund t’i interpretojmë thjesht si shifra të cilat lidhen me zhvillimin e biznesit, pasi një biznes zhvillohet kur klima e biznesit është e mirë dhe klima e biznesit nuk është perceptim. Klima e biznesit analizohet me sjelljen ekonomike. E vërteta është që klima e biznesit ndikohet nga perceptimi dhe gjithë tymnaja politike do të ndikojë klimën e biznesit nëse ne nuk do të bëjmë të mundur që të ndërtojmë mekanizma të duhura që biznesin ta nxisim, që biznesin ta mbështesim në rrugëtimin tonë të përbashkët europian”, u shpreh ministrja.

Rritja e punësimit është një tjetër tregues që sipas ministres flet për planet e bizesit për zgjerim.

Në vitin 2025, tha ajo, numri i të punësuarve arriti mbi 771 mijë.

“Bizneset vazhdojnë të punësojnë jo thjesht për statistika, por për të përmbushur kërkesën dhe për të realizuar planet e tyre të zgjerimit”, deklaroi ajo.

Duke folur për zhvillimin ekonomik ministrja u ndal tek investimet e brendshme, të cilat sipas saj janë rritur me 4,2% vetëm gjatë vitit të fundit.

Kredia për investime, theksoi Ibrahimaj, është rritur gjithashtu me 14%, duke treguar se bizneset jo vetëm që ndihen të sigurta, por janë të gatshme të investojnë dhe të zgjerohen më tej.

“Jam e bindur se ky trend pozitiv do të vazhdojë dhe do të fuqizojë më tej zhvillimin ekonomik të vendit”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›