E Hënë, 2 Nëntor 2026

Qeveria miraton strukturën dhe nivelet e reja të pagave për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare

TIRANË, 12 dhjetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi strukturën dhe nivelet e reja të pagave për nëpunësit dhe punonjësit e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, duke përcaktuar përbërësit e pagës mujore dhe shtesat për kategori të ndryshme pozicionesh.

Vendimi, i mbështetur në Kushtetutë dhe në ligjin për kompetencat e caktimit të pagave në administratën publike, parashikon që për të gjitha pozicionet nga specialisti deri te titullari i institucionit, klasat e pagave, shtesat e kualifikimit dhe ato për vjetërsi të jenë të njëjta me ato të miratuara për nëpunësit civilë në administratën shtetërore.

Një sërë shtesash specifike për kushte pune u përcaktuan për drejtuesit dhe specialistët në sektorë të ndryshëm, përfshirë 150 mijë lekë në muaj për titullarin e institucionit, 40 mijë lekë për disa drejtorë dhe deri në 35 mijë lekë për shefat e sektorëve përkatës.

Specialistët e fushave të udhëtimit, akomodimit, inxhinierisë, projektimit, logjistikës dhe trajtimit të personaliteteve do të përfitojnë 30 mijë lekë shtesë, ndërsa për disa pozicione të tjera shtesa varion nga 5 mijë deri në 25 mijë lekë.

Vendimi përcakton gjithashtu klasat e pagës dhe shtesat për vjetërsi për punonjësit mbështetës, duke ruajtur të njëjtat vlera të miratuara më parë nga qeveria për këtë kategori. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›