Ibrahimaj: Lehtësi të reja doganore për bizneset, aplikimi në e-Albania

TIRANË, 29 gusht /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, njoftoi se subjektet që merren me importin, përpunimin dhe eksportin e mallrave joshqiptare përfitojnë nga lehtësitë doganore, duke aplikuar përmes një shërbimi të dedikuar në platformën e-Albania.
Ibrahimaj tha se, përmes këtij shërbimi elektronik, bizneset mund të aplikojnë për autorizimin për regjimin e përpunimit aktiv të mallrave, duke eliminuar burokracitë dhe përshpejtuar procesin e miratimit.
Ministrja ndau në rrjete sociale një video, ku tregohen hapat që ndiqen për kryerjen e aplikimit në e-Albania, në kategorinë “Regjimi i përpunimit aktiv”.
Pas dorëzimit të aplikimit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (DPD) trajton kërkesën dhe kthen përgjigje brenda një periudhe prej 1 deri në 28 ditë.
Njoftimi i vendimit bëhet përmes email-it, ndërsa autorizimi i miratuar dërgohet me nënshkrim elektronik.
Autorizimi ka vlefshmëri nga 1 deri në 5 vite, në varësi të aktivitetit dhe kërkesës së subjektit.
Ky zhvillim vjen si pjesë e përpjekjeve për të modernizuar administratën doganore, për të lehtësuar procedurat për biznesin, si dhe për të nxitur eksportin dhe përpunimin industrial në Shqipëri.
e-Albania vijon të zgjerojë gamën e shërbimeve publike online, duke ofruar zgjidhje të shpejta, transparente dhe të aksesueshme me vetëm një klik. /j.p/