Ibrahimaj: Të ndërtojmë një ekonomi të përafruar me standardet e BE-së

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj drejtoi mbledhjen e Komitetit Kombëtar të Lehtësimit të Tregtisë (KKLT), ku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe dialogun me komunitetin e biznesit, me synim lehtësimin e tregtisë dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.
Në këtë takim u prezantuan dy dokumente strategjikë për zhvillimin ekonomik të vendit: Planin e Veprimit për reduktimin e barrierave jotarifore sipas neneve 34-36 të TFBE dhe Programin Kombëtar të Eksporteve 2025-2030.
Plani i Veprimit synon të eliminojë procedura të panevojshme dhe barriera që kufizojnë lëvizjen e lirë të mallrave, duke lehtësuar aktivitetin e bizneseve dhe duke përgatitur vendin për hapin e radhës në procesin e integrimit europian. Ndërkohë, Programi Kombëtar i Nxitjes dhe Lehtësimit të Eksporteve vendos drejtimin për zhvillimin ekonomik të vendit në pesë vitet e ardhshme, rritje eksporteve, rritje vlere të shtuar dhe diversifikim të tregjeve shqiptare. Ai përfshin instrumente konkrete financiare, teknike dhe të certifikimit për të mbështetur biznesin që të jetë më i fortë dhe më i integruar në tregjet globale.
“Synimi ynë është të ndërtojmë një ekonomi moderne, prodhuese dhe eksportuese, të përafruar me standardet e BE-së. Kjo kërkon angazhim, koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me të gjithë aktorët e përfshirë. Ju falënderoj për praninë dhe kontributet që do të sillni në këtë proces”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.
Në deklaratën e zyrës së shtypit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, theksohet se “referuar objektivave dhe programit të qeverisë rezultatet e synuara deri në vitin 2030, janë rritje reale e eksporteve, diversifikim të tregjeve dhe reduktim të varësive së zinxhirëve të prodhimit, transformim industrial dhe rritje të produktivitetit, rritje punësimi në sektorët prodhues dhe digjitalë, si dhe përshpejtim të përafrimit me standardet e BE-së”.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit mbetet e angazhuar për zbatimin e këtyre dy dokumenteve strategjike, të cilat do të kontribuojnë në forcimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare dhe përshpejtimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Nga takimi i Komitetit Kombëtar të Lehtësimit të Tregtisë 1 nga 12/e.i/a.f/r.e/