FOKUS – Moska akuzon Ukrainën dhe Evropën për mungesë progresi diplomatik

MOSKË, 5 dhjetor /ATSH-DPA/ – Kremlini shfaqi sot gatishmërinë për të negociuar një përfundim të luftës në Ukrainë, ndërsa fajësoi Brukselin dhe Kievin për mungesën e përparimit në bisedime.
Spas raporteve të agjencive ruse të lajmeve. zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia dëshiron paqe dhe të arrijë objektivat e saj me mjete paqësore.
“Por fatkeqësisht këto mjete paqësore dhe rruga e negociatave politike po refuzohen nga evropianët dhe ukrainasit”, tha ai.
“Kjo është arsyeja pse presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar operacionin ushtarak special”, sqaroi Peskov.
Rusia ka deklaruar vazhdimisht se qëllimet e saj të luftës janë heqja dorë e Ukrainës nga aspiratat për anëtarësim në NATO dhe mbrojtja e pakicës rusisht-folëse në vendin fqinj.
Megjithatë, pas nisjes së pushtimit në shkurt 2022, Putin ka bërë pretendime territoriale, duke kërkuar që Kievi t’i dorëzojë Donetskun dhe Luhanskun në Ukrainën lindore, përveç gadishullit të Krimesë, i cili u aneksua nga Moska në 2014.
Së fundmi, presidenti Putin ka bërë pretendime edhe për “Novorosinë” duke përdorur një term historik për zonën që përfshin rajonet e sotme të Khersonit, Zaporizhias dhe Odesës, në jug të Ukrainës.
Presidenti Putin ka refuzuar disa herë një takim me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në një vend neutral. Megjithatë, më herët gjatë kësaj jave, ai priti në Kremlin të dërguarin e posaçëm amerikan, Steve Witkoff, dhe dhëndrin e presidentit Donald Trump, Jared Kushner, për bisedime mbi konfliktin.
Kjo u ndoq nga bisedime dje në Miami midis të dërguarve nga Kievi dhe Uashingtoni.
“Delegacioni ukrainas, i udhëhequr nga Rustem Umerov, sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm Andrii Hnatov , kërkonte të sqaronte çfarë u diskutua në Moskë të martën”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Nga ajo që ka dalë nga bisedimet, duket se Rusia nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj, i cili kërkon dorëzim të afërt nga Ukraina.
“Nëse Kievi nuk pranon kushtet ruse, lufta do të vazhdojë”, theksoi sot Peskov.
Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022. Duke përfshirë Krimenë, aktualisht ajo kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas.
Megjithatë, ushtarakisht, Moska nuk ka arritur të marrë nën kontroll të gjithë rajonin e Donbasit në katër vitet e luftës./ /Ad.Ab./