SA PAGUHEN LIDERET E VENDEVE TE MEDHA?
Kur Gordon Brown mori postin e Kryeministrit nga Tony Blair vitin e kaluar, ai gjithashtu mori edhe një rritje rroge të menjëhershme prej 100 mijë dollarësh. Rroga e tij arriti në 375 mijë dollarë. Kjo rritje e bëri Brown një prej kryeministrave më të paguar të Evropës, sipas kompanisë globale konsulente "Hay Group", e cila ka formuluar listën e pagesave të liderëve botërorë. Lista e "Hay Group", e botuar në revistën amerikane "Forbes", gjithashtu përshkruan se rroga e Brown nuk është aq e madhe në krahasim me liderë të tjerë qeverish, kur rroga e tij i bashkëngjitet punës që duhet të bëjë. Ndërsa rroga e Presidentit francez, Sarkozy, është dyfishuar me votim të Parlamentit, vetëm disa muaj pasi ai mori detyrën. Sidoqoftë, masa e vendit nuk është gjithnjë tregues i pagës së liderit. Në një vend të vogël si Irlanda, për shembull, Kryeministri Bertie Ahern së fundmi pati një rritje rroge që e çonte rrogën e tij aktuale në 434 mijë dollarë në vit. Por rritja e rrogës është shtyrë me një vit. Sipas "Forbes", rrogat e liderëve nuk përfshijnë gjëra të tilla si udhëtimet, akomodimi dhe shpenzimet e tjera. Shumë liderë gjejnë mënyra të ndryshme për të bërë para, nëpërmjet fondacioneve apo bamirësisë. Ndërkohë, Presidenti amerikan, George W. Bush, merr një rrogë mujore 400 mijë dollarë në vit, ndërsa numri dy i qeverisë, Dick Cheney, merr 208 mijë dollarë në vit. Në kontrast me këtë, rroga zyrtare e Presidentit rus, Vladimir Putin, nuk është më shumë se 81 mijë dollarë në vit, ndërkohë që Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cilësuar nga revista "Forbes" si "femra më e fuqishme në botë", ka një rrogë prej 318 mijë dollarësh në vit. Sidoqoftë, në krye të gjithë listës qëndron Kryeministri i Singaporit, Lee Hsien Loon, i cili merr një rrogë vjetore prej 2 milionë dollarësh. Gordon Brown, Kryeministër i Britanisë së Madhe, rroga vjetore 375 mijë dollarë në vit. Kur Tony Blair i dorëzoi detyrën e Kryeministrit aktual të vendit këtë vit, rroga e Gordon Brown u rrit menjëherë me 100 mijë dollarë në vit, për të arritur 375 mijë dollarë. Ndërsa ish-kryeministri Blair, me të lënë detyrën iu caktua një pension vjetor prej 120 mijë dollarësh. Nicolas Sarkozy, President i Francës, rroga vjetore 346 mijë dollarë në vit. Në tetor të vitit të kaluar, Parlamenti francez votoi për të rritur rrogën e Sarkozy-s në 346 mijë dollarë në vit. Rritja erdhi vetëm pesë muaj pasi ai mori postin presidencial. Rritja e rrogës u kritikua nga sindikatat në vend, pasi erdhi në një kohë kur anëtarët e tyre ishin të acaruar për pensionet e tyre. George W. Bush, President i SHBA-së, rroga vjetore 400 mijë dollarë. Në shtator të vitit 1999, ish-presidenti amerikan, Clinton, firmosi një legjislacion për rritjen e rrogës së presidentëve të ardhshëm, nga 200 mijë dollarë në vit, që ishte prej vitit 1969, në 400 mijë dollarë në vit. Kushtetuta parashikon se një President s‘mund ta rrisë rrogën kur është në detyrë. Dick Cheney, zv/president i SHBA-së, rroga vjetore 208 mijë dollarë në vit. Edhe zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës konsiderohet si një prej burrave të shtetit më të rëndësishëm në botë. Dhe, pagesa e tij vjetore sigurisht nuk është e vogël. Kjo është edhe arsyeja pse revista amerikane "Forbes" e ka renditur në klasifikimin e politikanëve më të paguar. Angela Merkel, Kancelare e Gjermanisë, rroga vjetore 318 mijë dollarë në vit. "Gruaja më e fuqishme në botë" e revistës "Forbes" dërgon në shtëpi një rrogë prej 318 mijë dollarësh në vit si Kancelare e Gjermanisë. Kur ajo erdhi në detyrë në vitin 2005, vendosi si prioritet kryesor uljen e papunësisë nga qeverisa e saj dhe së fundmi ka kërkuar një debat të përgjithshëm ndërmjet punëdhënësve dhe punonjësve për çrrënjosjen e pagesës së pandershme. Lee Hsien Loong, Kryeministër i Singaporit, rroga vjetor 2 milionë dollarë në vit. Kryeministri aktual i Singaporit është në detyrë që prej gushtit të vitit 2004 dhe është kreu i qeverisë më i paguar në botë. Rroga e tij u rrit në prill të vitit të kaluar dhe Kryeministri Hsien Loong është shprehur se do ia dhurojë rritjen e rrogës fondacioneve bamirëse. Bertie Ahern, Kryeministër i Irlandës, rroga vjetore: me rritjen e fundit arrin 434 mijë dollarë. Kryeministri irlandez kohët e fundit vendosi për rritjen e rrogës në 434 mijë dollarë në vit, çka do ta bëjë atë Kryeministrin më të paguar në Evropë. Por rritja zyrtare është shtyrë për një vit, pasi zyrtarët menduan se mund të kishte pasoja në thesar, ndërsa kritikët thonë se shtyrja ka ndodhur për shkak të presionit publik. Evo Morales, President i Bolivisë, rroga vjetore 21 mijë e 600 dollarë. Në vitin 2006, pesë ditë pas zgjedhjes së tij, Presidenti i Bolivisë deklaroi se do të niste një fushatë për reduktimin e rrogës së tij me 50 për qind dhe u kërkoi ministrave të njëjtën gjë, për t‘u rritur rrogat mësuesve. Ai paguhet rreth 1875 dollarë në muaj, rreth gjashtë herë më shumë se një mësues. Vladimir Putin, President i Rusisë, rroga vjetore 81 mijë dollarë. Rroga zyrtare e Presidentit rus është rreth 81 mijë dollarë në vit dhe një deklaratë zyrtare pasurie tregoi se pasuria e tij kishte pësuar rënie gjatë mandatit të tij të dytë. Edhe pse ai është një prej njerëzve më të fuqishëm të botës, në krye të një shteti që po forcohet çdo ditë e më shumë, rroga e tij sigurisht që nuk përfshihet në radhët e atyre të majmëve. Hu Jintao, Presidenti i Kinës, rroga vjetore 3000 dollarë. Presidenti i Kinës ka rrogën më modeste që mund të ketë një udhëheqës shteti. Presidenti i njërit prej kombeve më të mëdha të botës, i vendit anëtar të G8-ës, ka një rrogë mujore prej vetëm rreth 250 dollarë. Një rrogë që zor se mund ta ketë edhe ministri i ndonjë kabineti qeveritar.