Ikonat e botës së publicitetit
"Lacoste" qe e gatshme të shkonte në gjyq për të mbrojtur "krokodilin e saj", në një betejë të ashpër për të drejtën mbi autorësinë. Kaq e rëndësishme është vlera e logove që i kanë bërë kompanitë të famshme në gjithë botën
Të vëna fort në dyshim nga Dik mek Donald, bashkëthemeluesi i kompanisë "McDonald‘s" në vitin 1952, dy harqet e "M" së famshme nuk do të ktheheshin në logon zyrtare të firmës pa kaluar dhjetë vjet të tjera.
Kur iu kërkua të paraqiste projektin për një restorant të ri fast fud në Feniks të Arizonës, arkitekti Stenli Metson u prezantoi vëllezërve Mek Donald një dizajn ku vërehej një ndërtesë në formë rektangulare, e lyer me të kuqe dhe të bardhë, me një çati të madhe që ulej shumë poshtë në pjesën e përparme dhe të pasme të ndërtesës. Megjithëse projekti qe i pëlqyeshëm, Diku mendonte se diçka mungonte.
Duke arritur në përfundimin se ndërtesa qe shumë e sheshtë për t‘iu përshtatur një restoranti i cili duhej të revolucionarizonte mënyrën si ushqehej Amerika - si edhe bota - ai kërkoi që projekti të ndryshohej dhe strukturës t‘i shtoheshin edhe dy harqe të florinjta. Arkitekti Metson ra dakord me të gjitha ndryshimet, por nuk pranonte të përfshinte kurrsesi harqet në dizajn. Kështu që Diku ju drejtua Xhorxh Deksterit, një dizajnuesi logosh dhe në vend që t‘i përfshinte në strukturë, "harqet e arta" u dizajnuan si simbol i firmës "McDonald‘s".
E megjithëkëtë, kuzhinieri i rrufeshëm "Speedee", karakteri që simbolizonte aktivitetin e firmës, mbeti logoja zyrtare e saj deri në vitin 1962, kur "McDonald‘s" vendosi ta rinovonte imazhin.
Së pari u dizajnua një logo e re nga Fred Tërner, bëhej fjalë për një "V" të stilizuar. Më pas Xhim Shindler, drejtori i departamentit të dizajnit dhe marketingut, skicoi një logo që paraqiste çatinë e pjerrët të një restoranti mbi të cilën spikatnin dy harqe të arta në formën e "M"-së. Kështu lindën "harqet e arta". Në vitin 1968 u hoq nga logoja çatia dhe u vendos emri McDonald‘s, duke u arritur në atë që është edhe sot e kësaj dite marka e kompanisë.
Eksperti i logove Endi Pein, drejtori i sektorit të krijimtarisë në "Interbrand", tha: "Gjëja më interesante e kësaj logoje është që ka lindur si zgjidhje arkitektonike. Harqet qenë dizajnuar me idenë për t‘u përfshirë në ndërtesë, gjë që ka krijuar një ‘M‘ unike. Forca e saj mbështetet te ngjyra".
Kali i "Ferrari"-t
Kali i ngritur mbi dy këmbët e para u përdor fillimisht nga Enxo Ferrari, themeluesi i skuadrës garuese të automobilave "Scuderia Ferrari", që më pas, në vitin 1923, pas mbështetjes financiare të nënës së Kontit Françesko Baraka, një piloti luftarak të Luftës së Parë Botërore, u konvertua në shtëpinë prodhuese automobilistike Ferrari. Baraka, i cili gjeti vdekjen gjatë këtij konflikti, njihej nga të gjithë si piloti që kish pikturuar një kalë në anë të avionit. Pas vdekjes së tij, e ëma i sugjeroi Ferrarit se piktura e kalit te makinat do t‘i sillte fat.
Kali i pikturuar në avionin e Barakës ishte i kuq dhe i vendosur mbi një sfond të përbërë nga re të bardha, por Ferrari vendosi ta lyente me të zezë (në shenjë nderimi për humbjen e skuadronit të Barakës) dhe ta vendoste mbi një sfond të gjelbër - ngjyra e qytetit të tij të lindjes, Modena. Gjithashtu shtoi ngjyrat jeshile, të bardhë dhe të kuqe - ngjyrat e flamurit kombëtar italian - dhe germat S F, inicialet e "Scuderia Ferrari".
Kali i Ferrarit ishte shumë i ndryshëm nga ai i Barakës, dhe ndryshimi më i madh vërehej te bishti - ai kalit të Ferrarit ngrihej lart, ndërsa në versionin origjinal të Barakës, bishti drejtohej poshtë. Të gjitha makinat e markës Ferrari kanë këtë logo të vendosur te mbulesa e përparme e motorit.
Andi Pein tha: "Kjo logo përfaqëson gjithçka të Ferrarit: shpejtësi dhe energji. Ndryshon nga logot e tjera të thjeshta, pasi vetë kali është dizajnuar në mënyrë të ndërlikuar dhe paksa të padeshifrueshme, por teksa sheh siluetën e zezë të vendosur në sfondin e verdhë (e vendosur zakonisht mbi makina me ngjyrë të kuqe) është ngacmuese dhe e njohshme në çast".
Molla e "Apple"
E dizajnuar fillimisht nga presidenti aktual i kompanisë "Apple", Stiv Xhobs, logoja origjinale e gjigantit të teknologjisë kompjuterike qe krejt e ndryshme nga ajo që shohim sot. Përshkruante Sër Isak Njutonin, të ulur nën një pemë teksa një mollë i binte mbi kokë - për nder të zbulimit të gravitetit.
Logoja u zëvendësua në vitin 1976 nga një mollë e kafshuar, silueta e së cilës qe pikturuar në të kuqe të ndezur - ide e dizajnuesit Rob Xhanof, e cila qe e destinuar të mbetej e pandryshueshme deri në vitin 1999, kur "Apple" vendosi të përdorte një logo monokromatike.
Sipas mitit urban përkatës, molla e kafshuar i referohet Alan Turingut, pionierit të kodit "Enigma" dhe "babait të kompjuterit", i cili u vetëvra duke ngrënë një kafshatë nga një mollë e helmuar me cianur në vitin 1954. Vetë Xhanof këmbëngul se molla përfaqëson thjesht dijen. Në vitin 2006, logoja ishte në qendër të një gjyqi mes kompanisë dhe firmës së prodhimit të disqeve të themeluar nga grupi britanik Bitëlls, e cila përdor gjithashtu mollën si logo zyrtare.
Endi Pein thotë: "Jemi përsëri përpara një shembulli të logove të thjeshta, por shumë të suksesshme".
Simboli i kompanisë "Nike"
Vija e harkuar dhe e trashur në njërin skaj dhe e holluar në tjetrin është një prej logove më të njohura në botë. Zbukuron një pafundësi veshjesh dhe objektesh sportive. E megjithatë emblema, e cila u kthye në logon zyrtare të një kompanie shumë miliarda dollarëshe, u stilizua nga një studente aspak e njohur, e quajtur Karolin Devidson, e cila u pagua nga "Nike" për simbolin vetëm 35 dollarë.
Devidson, një studente grafike në Universitetin Shtetëror të Portlandit, u kontaktua në vitin 1971 nga atleti Fill Nait dhe trajneri i vet Bill Bouerman, të cilëve u nevojitej një logo e re për një linjë këpucësh që kishin ndër mend të hidhnin në treg. Që të dy burrat, që prej pak kohësh kishin ngritur më këmbë kompaninë "Blue Ribbon Sports", i kërkuan studentes t‘u sugjeronte disa dizajno për linjën e re të këpucëve, të cilin kishin vendosur paraprakisht ta quanin "Nike", për hir të perëndeshës greke të fitores.
Devidson ra dakord dhe u kërkoi dy burrave ta paguanin dy dollarë për orë pune, që praktikisht u kushtoi në tërësi 35 dollarë. Pasi ua dorëzoi, Najt nuk qe në gjendje të vërente që në fillim potencialin e saj dhe citohet të ketë thënë: "Nuk më pëlqen, por do ndryshoj mendje me kalimin e kohës".
Endi Pein thotë: "Është një prej logove që i konsideroj si më të parapëlqyerat. Është një prej shumë pak logove që nuk shoqërohen me fjalë. Me kalimin e kohës fitoi besimin për t‘u paraqitur veçmas fjalës "Nike" dhe është një hap i cili kërkon shumë guxim për t‘u hedhur nga ana e kompanive".
Krokodili i "Lacoste"
U frymëzua nga nofka e krijuesit të markës, tenisti francez Rene Lacoste - i quajtur shpesh krokodili nga shtypi amerikan. Javën që shkoi, logoja ishte në qendër të një gjyqi, pasi gjigandi i modës akuzoi për vjedhje të së drejtës së autorësisë dy dentistë, të cilët përdornin të njëjtën figurë si logo të aktivitetit të tyre. Gjyqi u fitua nga dy dentistët pasi gjyqtari vendosi se qe e pamundur që konsumatorët të ngatërronin shërbimin që ofronin mjekët me produktet që ofron kompania e veshjeve.
Është veç një kapitull shtesë në historinë piktoreske të logos së famshme, e cila nisi vite më parë për shkak të një basti mes tenistit Lacoste dhe kapitenit të skuadrës franceze të tenisit përpara një ndeshjeje të vitit 1927. Në lojë nga dy sportistët u vu një çantë prej lëkure krokodili, e cila i pëlqente së tepërmi atij që tashmë i ka dhënë emrin një prej markave më të rëndësishme në modën globale.
Nofka i pëlqente dhe Lacoste i kërkoi një miku t‘i pikturonte një krokodil, të cilin ta qepte në jakën e xhaketës. Gjashtë vite më pas, në vitin 1933, disa yje të këtij sporti u bashkuan për të krijuar një kompani, e cila do të prodhonte fanella tenisi me logon e krokodilit.
Endi Pein thotë: "Kjo logo e ka kapërcyer testin e kohës pasi është shumë e thjeshtë. Funksionon për mrekulli, pasi, megjithëse në të shumtën e rasteve është në ngjyrë të gjelbërt, mund të realizohet edhe në shumë ngjyra të tjera dhe të gjithë do ta kuptonin menjëherë që bëhej fjalë për logon ‘blazer‘, pasi përdorimi i një kafshe kaq të veçantë u mbetet të gjithëve e gdhendur në mendje".
Dy "C"-të e kompanisë "Chanel"
Dy "C"-të që ndërthuren me njëra-tjetrën, të dizajnuara nga Koko Chanel, u shfaqën në shishet e parfumit në vitin 1921. Që atëherë kanë mbetur pjesë e pandashme e markës, po aq klasike dhe elegante sa ç‘ka dashur gjithnjë kjo kompani.
Logoja përfaqëson inicialet e emrit të themeluesit të kompanisë, e cila thuajse gjatë gjithë jetës përdori nofkën në vend të emrit (Gabrielë). I pëlqente ky dizajn për shkak të thjeshtësisë dhe faktit që vihej re shumë lehtë.
Që atëherë logoja ka etiketuar të gjitha produktet "Chanel". U përdor së pari në Haute Couture në vitin 1959, për t‘u shfaqur më pas në kopsat e kostumeve "Chanel".
Endi Pein thotë: "Kjo logo është aq e bukur sa edhe e thjeshtë. Dy germa që vendosen njëra kundrejt tjetrës. Bëhet fjalë për një gjetje estetike të realizuar me shumë elegancë. Shpesh i bashkëngjitet fjala Chanel, por mund të bënte edhe pa të".