E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Këtë vit, privatizimi i KESH, ARMO dhe INSIG

Kryeministri Sali Berisha ka zbuluar dje disa nga projektet më të rëndësishme që do të ndërmarrë qeveria e tij gjatë vitit 2008. Duke e cilësuar 2008-ën si një vit reformash, investimesh dhe privatizimesh të mëdha, Berisha ka bërë publik projektin për të privatizuar kompani të rëndësishme si KESH-i, ARMO-ja, INSIG-u, Drejtorinë e Kontrollit të Automjeteve dhe shumë kompani të tjera që do të jepen me koncesion. "Privatizimi këtë vit duhet të njohë zhvillimet më madhore të këtyre dy dekadave të fundit", tha Kryeministri. Ai u shpreh gjithashtu se partneriteti publik privat duhet të marrë përmasa të tjera, ndërsa premtoi se Ministria e Financave do të vendosë standarde të reja lidhur me procedimin për realizimin e investimeve publike. Për përgatitjen e privatizimeve në disa sektorë të rëndësishëm, Kryeministri bëri të ditur se është marrë ekspertiza dhe ndihmesa e çmuar institucioneve ndërkombëtare. "IFC-ja dhe USAID-i kanë dhënë një ndihmesë shumë të çmuar për përgatitjen e privatizimit të sektorit të shpërndarjes së energjisë, një tjetër kompani ka punuar seriozisht për privatizimin e ARMO-s, po punohet dhe ka një avancim për Drejtorinë e Kontrollit të Automjeteve dhe pritet të finalizohet vlerësimi ekonomik", tha Berisha, duke nënvizuar se edhe objekte të tjera, do të ecin drejt privatizimit. Megjithëse ai ka deklaruar edhe vet në fillim të mbledhjes së qeverisë, se shqiptarët presin më shumë nga qeveria, Berisha preferoi të specifikojë hapin e parë që do të marrë kabineti i tij në vitin 2008. "Ky do të jetë viti i privatizimeve të mëdha, KESH-it, ARMO-s, INSIG-ut. Ne jemi qeveri e standardeve liberale, e nismës së lirë dhe është bërë një punë parapërgatitore serioze në këtë drejtim", tha ai.

Gjithashtu partneriteti publik privat do të njohë dimensione të reja. Në këtë kontekst, Kryeministri ka kërkuar nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e cila ka hapësira shumë të mëdha, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe e Shanseve të Barabarta, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Drejtësisë në mundësitë e saj dhe Ministria e Mbrojtjes, në disa shërbime të caktuara, zgjerimin dhe thellimin këtë vit të hapësirave të partneritetit publik privat. "Ky vit duhet të jetë viti i partneritetit publik privat", tha ai. Sipas Berishës, ky vit do të jetë edhe viti i investimeve më të mëdha në historinë e vendit, për realizimin e të cilave kërkohet përqendrim edhe më i madh. "Ministria e Financave do të vendosë disa standarde të reja lidhur me procedimin për realizimin e investimeve. Këto standarde synojnë t‘ju ndihmojnë dhe mobilizojnë në mënyrë që të ketë një realizim të investimeve publike të shpërndarë mirë gjatë vitit. Shpresoj se Thesari do të japë këto ditë vlerat përfundimtare. Vlerat e brendshme kanë qenë të mira në tërësi", tha Berisha. Gjatë mbledhjes së qeverisë, Kryeministri u është drejtuar vartësve të tij, duke i pyetur se cili është borxhi që i keni mbetur qytetarëve shqiptarë nga viti i kaluar. "Këtë pyetje secili prej jush duhet t‘ia shtrojë vetes për çdo procedurë, për çdo aktivitet dhe projekt. Është në detyrimin tuaj t‘i identifikoni, përparoni dhe t‘i finalizoni ato, në mënyrë që ky vit të jetë edhe më i suksesshëm", tha ai.

Investimet

2008-ta, viti i investimeve

Kryeministri Sali Berisha e cilësoi 2008-ën, si vitin e

investimeve më të mëdha në historinë e këtij vendi, duke kërkuar dhe përqendrim më të madh për realizimin e tyre. Në fjalën e tij në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri Berisha vuri në dukje se "Ministria e Financave do të vendosë disa standarde të reja lidhur me procedimin për realizimin e investimeve dhe ato standarde do të fillojnë të ndihmojnë investimet".

kryeministri

"Më shumë hapësira për partneritetin publik privat"

Partneriteti publik privat do të njohë dimensione të reja gjatë këtij viti. Ky ka qenë premtimi i Kryeministrit Berisha në mbledhjen e qeverisë. Kryeministri kërkoi nga Ministria e Mjedisit, Ministria e Bujqësisë, ajo e Shëndetësisë, Punëve Publike, Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Punës, ajo e Turizmit, Ministria e Drejtësisë në mundësitë e saj dhe Ministria e Mbrojtjes që në disa shërbime të caktuara të bëjnë zgjerimin dhe thellimin këtë vit të hapësirave të partneritetit publik privat.

vendimi

Marrëveshje ndërkombëtare Shqipëri-Danimarkë

Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e radhës, marrëveshjen mes qeverisë shqiptare dhe qeverisë së Mbretërisë së Danimarkës "Për ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar". Vendimi është miratuar në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, "Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare", me propozim të ministrit të Brendshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›