Ligji i ri për minierat, rriten garancitë për mjedisin, ndarja e parave të gjobave, bizneset të detyruara të heqin zonat nga fondi pyjor brenda 10 ditëve

Sektori minerar në Shqipëri do t’i nënshtrohet rregullave më strikte, veçanërisht në lidhje me disiplinën e shfrytëzimit të lejeve dhe rehabilitimin e mjedisit. Ndryshimet synojnë të disiplinojnë kompanitë që marrin leje por nuk investojnë, si dhe të garantojnë që dëmet mjedisore të mbulohen financiarisht.
Fund lejeve “të fjetura”, ndalohet pezullimi në 3 vitet e para
Një nga ndryshimet më drastike prek kompanitë e reja. Sipas neneve 5 dhe 7 të ligjit të ri, në tre vitet e para të ushtrimit të veprimtarisë, zotëruesi i lejes minerare nuk mund të paraqesë kërkesë për pezullim të përkohshëm të punës.
Kjo masë synon të shmangë fenomenin e marrjes së lejeve minerare pa pasur kapacitete reale për t’i vënë në punë. Për më tepër, edhe pas kësaj periudhe, pezullimi miratohet nga ministri për një afat jo më të gjatë se 2 vjet. Nëse subjekti ndërpret veprimtarinë pa miratim, leja revokohet.
Rehabilitimi i mjedisit dhe fondi pyjor, ligji i ri ashpërson masat për mjedisin. Vlera e garancisë për rehabilitimin e mjedisit do të përditësohet çdo 2 vjet, duke u bazuar në çmimet e tregut ose të indeksuara. Kjo shmang zhvlerësimin e garancisë ndër vite.
Nëse një kompani braktis zonën ose nuk kryen rehabilitimin, e gjithë vlera e garancisë i kalon shtetit. Me këto fonde, strukturat shtetërore do të kontraktojnë kompani të specializuara për të bërë rehabilitimin e zonës.
Subjektet detyrohen që brenda 10 ditëve nga marrja e lejes, të aplikojnë për heqjen e sipërfaqes nga fondi pyjor/kullosor, duke shpejtuar procedurat burokratike por edhe detyrimet financiare.
Ndarja e parave të gjobave
Një tjetër risi është destinacioni i parave të mbledhura nga gjobat. Sipas nenit 13, të ardhurat nga gjobat për shkeljet e ligjit do të ndahen:
• 60% i kalojnë strukturës që ka verifikuar shkeljen (për përmirësimin e shërbimit).
• 40% i kalojnë buxhetit të shtetit.
Gjithashtu, ligji saktëson terminologjinë, duke zëvendësuar fjalën “karrierë” me termin teknik “minierë sipërfaqësore” dhe duke përjashtuar naftën, gazin dhe ujin nga përkufizimi i mineraleve në këtë ligj.
/rtsh.al/