Inaugurohet shtatorja e Josif Budos në Kavajë, Berisha: Sakrifica e tij frymëzoi shqiptarët

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Me rastin e 35-vjetorit të rënies së Dëshmorit të Parë të Demokracisë Josif Budo, në Kavajë u inaugurua sot shtatorja e të riut që u bë dëshmori i parë i lëvizjes antikomuniste në Shqipëri në fillim të viteve ’90.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, ish-deputeti Ervin Salianji, kryetari i bashkisë së Kavajës Klevis Qose, si dhe ish-ambasadori gjerman Werner Daum.
Në fjalën e tij, kreu i PD-së tha se sakrifica e Josif Budos u shndërrua në frymëzim dhe dritë për mbarë shqiptarët.
“Sot ne mblidhemi për inaugurimin e shtatores të heroit të parë të demokracisë, të riut Josif Budo, gjaku i të cilit, sakrifica sublime e të cilit, u shndërrua në frymëzim dhe dritë për mbarë shqiptarët. Por që në të vërtetë u shndërrua në çlirim dhe liri për qytetin e tij të dashur, për Kavajën.
“Më 10 korrik të vitit 1990, diktatura në grahmat e fundit, pasi arriti të dominojë kryengritjen e parë paqësore të ambasadave më 2 korrik në Tiranë, u kthye në Kavajë me bindjen se do t’i jepte edhe qytetit, grupeve të tij antikomuniste, shpirtit liridashës të qytetarëve të Kavajës, goditjen e madhe dhe do të mbante në Shqipëri përsëri Perden e Hekurt.
“Por, hesapet, llogaritë ishin krejtësisht të gabuara. Kavaja, qyteti i kryengritjes së parë antikomuniste më 26 mars, i burrave dhe grave të pamposhtur, e priti me sakrificën e Josif Budos dhe trimërinë e burrave dhe grave të saj, diktaturën, falangat e saj të krimit. Qëndroi e pamposhtur dhe përcolli me dinjitet të madh, siç e meritonte, heroin e vet në banesën e fundit, në banesën e pavdekësisë”, tha Berisha.
Berisha shtoi se “sot pas 35 vitesh, gjaku, sakrifica, idealet e Josif Budos janë një kushtrim i vërtetë për çdo shqiptar, për çdo shqiptare”.
“Ndaj, miqtë e mi, sot çdo shqiptar duhet të nderojë Josif Budën, gjakun e tij, sakrificën e tij, me një betim solemn se nuk do pajtohemi kurrë me këtë regjim. Se Josif Buda do na frymëzojë në një përpjekje të re për të rikthyer dinjitetin e shqiptarëve, për të rikthyer shpresën, besimin”, tha Berisha.
Berisha vlerësoi edhe ish-ambasadorin gjerman Werner Daum, për të cilin tha se “ishte kavalier i vetmuar që qëndroi në anën e idealistëve që u ngritën për liri dhe dinjitet”.
“Ambasadori e shndërroi ambasadën e tij në një kështjellë të lirisë së shqiptarëve. Ambasadori Daum, siç e tha edhe vetë, mik i shqiptarëve, donte me çdo kusht që shqiptarët të ndiqnin edhe ata rrugën e kombeve të tjera, të diktaturave ish-komuniste. Ndaj dhe ai, çfarë kishte mundësi të bënte, bëri të inkurajojë, t’u japë zemër grupeve antikomuniste në Kavajë, në Shkodër dhe kudo.
Kohërat janë shumë të ndryshme, por 35 vite më parë, ambasadori ishte një kavalier i vetmuar. Kjo është e vërteta, duhet ta themi. Pasioni i tij për lirinë, dashuria e tij për shqiptarët që t’i shihte të lirë, bëri që ai të qëndronte në mbrojtje të të vërtetave themelore. Ai qëndroi në anën e Josif Budos. Qëndroi në anën e qytetarëve të Kavajës. Qëndroi në anën e idealistëve që u ngritën për liri dhe dinjitet”, tha Berisha.
1 nga 3/m.q//r.e//a.f/