E Hënë, 2 Nëntor 2026

Inceneratori i Tiranës/ Apeli i GJKKO dënon me 2 vite Alqi Bllakon, do e shlyej me shërbim prove. Shpallet i pafajshëm për një episod korrupsioni

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lehtësuar dënimin për ish-deputetin e PS-së Alqi Bllako për dosjen e inceneratorit të Tiranës. Nga 4 vite burg të dhëna nga shkalla e parë, Apeli e dënoi me 3 vite burg, ndërsa për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi përfundimtar u ul në 2 vite.

Bllako nuk do ta vuajë dënimin në qeli, pasi gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të burgimit dhe kalimin e tij në shërbim prove.

Po ashtu, Apeli i GJKKO e shpalli të pafajshëm Alqi Bllakon për një nga episodet e korrupsionit, që lidhej me përfitimin e parregullt të 7.5 milionë lekëve për shtetasin V.B., me argumentin se “fakti nuk përbën vepër penale”.

Ndërkohë, gjykata la në fuqi pjesën e vendimit që lidhet me përfitimin e parregullt të shumës 119 mijë e 715 euro.

Sipas vendimit, Bllako do të jetë nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës në Tiranë dhe është i detyruar të mbajë kontakte të rregullta me këtë institucion, si edhe të mos shoqërohet me persona të dënuar.

Vendimi u shpall këtë të martë nga trupa gjykuese e përbërë nga Igerta Hysi, Engert Pëllumbi dhe Daniela Shirka. Palët kanë të drejtë rekursi në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve.

Vendimi i plotë:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Igerta Hysi (kryesuese), Engert Pëllumbi (anëtar) dhe Daniela Shirka (anëtare), sot më 20.05.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 30 akti, datë 11.03.2026 regjistrimi, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj vendimit nr. 69, datë 04.11.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 69, datë 04.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për sa ka disponuar lidhur me fajësinë, cilësimin juridik dhe masën e dënimit të dhënë për faktin penal të përfitimit të parregullt të shumës 119,715 (njëqind e nëntëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e pesëmbëdhjetë) euro, si dhe për disponimet lidhur me aplikimin e dënimit plotësues dhe shpenzimet gjyqësore.

2. Ndryshimin e vendimit nr. 69, datë 04.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për pjesën tjetër, si më poshtë:

-Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit A.B, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, sipas kësaj dispozite para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021, për faktin penal lidhur me përfitimin e parregullt për shtetasin V.B në vlerën 7.520.000 (shtatë milion e pesëqind e njëzet mijë) lekë, për shkak se fakti nuk përbën vepër penale.

-Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit A.B i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë për faktin penal të përfitimit të parregullt të shumës 119,715 (njëqind e nëntëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e pesëmbëdhjetë) euro, duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vjet burgim.

-Në bazë dhe për zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënia në provë e të pandehurit A.B për një periudhë kohe të barabartë me dyfishin e pjesës së mbetur të pavuajtur të dënimit me burgim.

-Detyrimin e të pandehurit A.B të mbajë kontakte të rregullta me Zyrën Vendore të Shërbimit të Provës Tiranë.

-Detyrimin e të pandehurit A.B të mos shoqërohet me persona të dënuar.

-Ngarkohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ekzekutimin e këtij vendimi.

3. Ndryshimin e vendimit nr. 682, datë 28.11.2024 të Gjykatëssë Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vetëm për sa i përket disponimit për caktimin e  gjobës në masën 10.000 (dhjetë mijë) lekë për kërkuesin Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organziuar, duke e hequr masën e gjobës.

4. Shpenzimet e gjykimit në apel i ngarkohen të pandehurit.

5. Kundër këtij vendimi lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.

U shpall në Tiranë, sot më datë 20.05.2026.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›