Indeksimi i pensioneve, eksperti Hoxha: Prek 74 lloje përfitimesh, ja si të përllogarisni rritjen

Ka nisur sot procesi i indeksimit të pensioneve në Shqipëri, një masë që prek rreth 777.000 përfitues në të gjithë vendin. Në një intervistë në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, eksperti për çështjet e pensioneve, Kujtim Hoxha, ka sqaruar në detaje mënyrën e funksionimit të kësaj skeme, kriteret dhe përfituesit.
Sipas Hoxhës, indeksimi i pensioneve është një detyrim ligjor i qeverisë dhe bëhet çdo vit mbi bazën e normës së inflacionit të llogaritur nga INSTAT për një grup të caktuar mallrash dhe shërbimesh. Qëllimi kryesor i këtij procesi, sipas tij, është ruajtja e fuqisë reale të pensionit dhe shmangia e zhvlerësimit të parasë me kalimin e kohës.
“Për të kuptuar se çfarë është indeksimi duhet t’u kujtoj që është detyrim ligjor i qeverisë që çdo vit, mbi bazën e normës së inflacionit të konstatuar nga INSTAT për një grup të caktuar mallrash dhe shërbimesh, bëhet indeksimi i pensioneve. Kjo për të sjellë në kushte reale atë masë të pensionit, pra të mos i zhvlerësohet paraja. Kjo është qëllimi kryesor i indeksimit. Ky indeksim është detyrim ligjor dhe bëhet i përvitshëm”, deklaroi Hoxha.
Ai shtoi se ky proces ka ndryshuar në vite sa i përket datës së aplikimit, duke u zbatuar herë më 1 prill dhe herë më 1 tetor, por thelbi i tij mbetet i pandryshuar.
Një tjetër sqarim i rëndësishëm i ekspertit lidhej me kompensimin që përfitojnë pensionistët krahas indeksimit. Sipas tij, kompensimi është një element i veçantë dhe merret çdo muaj, ndërsa indeksimi llogaritet vetëm mbi bazën e pensionit bazë dhe jo mbi shumën totale me kompensime.
“Ta kuptojmë qytetarët që krahas pensionit marrin edhe atë kompensimin duke filluar që nga 1 janari dhe në vazhdim. Kompensimi është pjesë që është jashtë pensionit, që do të thotë merret çdo muaj. Indeksimi bëhet mbi bazën e pensionit, jo mbi bazën e shumës së pensionit edhe të kompensimit”, u shpreh ai.
Hoxha theksoi gjithashtu se nuk ka më ndarje mes pensionit të qytetit dhe atij të fshatit, pasi skema është unifikuar dhe aplikohet njësoj për të gjithë qytetarët.
“Kjo ndarje është hequr. Është njëlloj për të gjithë qytetarët që janë në pension dhe është 2.7% mbi bazën e pensionit që marrin. Çdo qytetar e ka individualisht llogaritjen e tij. Nëse shumëzon pensionin me 2.7%, del vlera e indeksimit”, deklaroi eksperti.
Ai solli edhe një shembull praktik, duke sqaruar se një pension prej 300.000 lekësh të vjetra përfiton rreth 830 lekë të reja rritje nga indeksimi. “Për shembull dikush që e ka pensionin 300.000 lekë të vjetra, me 2.7% merr gati 830 lekë të reja. Pra, 8.300 lekë të vjetra shtesë duke nisur nga dita e sotme”, tha Hoxha.
Sipas tij, pjesa më e madhe e pensionistëve, rreth 550.000 qytetarë, kanë pension nën 190.000 lekë të vjetra dhe përfitojnë një shtesë mesatare prej rreth 5.000 lekësh të vjetra.
Eksperti sqaroi gjithashtu se për pensionet mbi një nivel të caktuar, si dhe për disa skema të invaliditetit, aplikohen kufizime në përfitime. Sipas tij, personat që marrin mbi 200.000 lekë të vjetra pension nuk përfitojnë nga kompensimi, ndërsa për invaliditetin kufiri i përjashtimit është mbi 300.000 lekë.
“Janë rreth 74 lloje përfitimesh që indeksohen, përfshirë pensionet e pleqërisë, invaliditetit, familjare dhe skema të veçanta si ato të ushtarakëve apo statuset e veçanta”, shtoi Hoxha.
Eksperti theksoi se skema e pensioneve është komplekse dhe shpesh keqinterpretohet, ndërsa kërkoi më shumë kujdes në trajtimin e informacionit publik. “Është një skemë e komplikuar çështja e pensioneve… përfitimet afatshkurtra si leja e lindjes nuk janë pjesë e indeksimit”, përfundoi ai.