Protestuesit në SPAK, firmosin dhe dorëzojnë librin “The Albanian Files”: Do bëjmë kallëzim penal

Një grup protestuesish kanë qenë paraditen e sotme para Prokurorisë së Posaçme ku kanë firmosur dhe kanë dorëzuar librin mbi arkitekturën “The Albanian Files”, duke kërkuar që të shihet nga SPAK si një provë krimi.
Protestuesit thanë se libri u mbajt nga Prokuroria.
“SPAK e mbajti librin që dorëzuam. Pas deklaratës sonë publike që kërkojmë nisje të hetimit, për atë që ne e cilësojmë si provë të kapjes së shtetit. Ndaj do të presim në ditët në vijim. Do të kemi një kallëzim penal, që po hartohet nga avokatët tanë. Ne jemi këtu për t’i thënë SPAK se ka mbështetjen tonë për veprimet e deritanishme. Ne nuk jemi për drejtësi popullore, por ne kërkojmë një shtet të së drejtës ku kryeministri të trajtohet dhe hetohet si të gjithë qytetarët”, tha një prej aktivisteve.
“The Albanian Files Freedom and Architecture” është një libër voluminoz mbi arkitekturën, i redaktuar nga Anneke Abhelakh dhe i botuar nga shtëpia e njohur botuese zvicerane Lars Müller Publishers.
Libri përmban rreth 750-800 faqe dhe përmbledh projektet, skicat, idetë dhe reflektimet e 60 studiove dhe arkitektëve ndërkombëtarë që kanë punuar në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit.
/rtsh.al/