E Diel, 1 Nëntor 2026

Krimi zgjedhor 2021–2025/ Braho: 233 materiale dhe 157 procedime. Shit-blerja e votës, problem i përsëritur

Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Klodian Braho, ka mbajtur një fjalë të gjatë dhe të detajuar në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, ku ka paraqitur qëndrimin institucional të SPAK mbi krimin zgjedhor, kompetencat ligjore, problematikat e hasura dhe nevojën për përmirësime në kuadrin ligjor dhe institucional.  Braho e ka nisur fjalën e tij duke theksuar se integriteti i zgjedhjeve nuk është çështje politike, por një element thelbësor i shtetit të së drejtës dhe besimit publik.

“Për SPAK-un, mbrojtja e integritetit të zgjedhjeve nuk është çështje e debatit politik, por është çështje e sundimit të ligjit, e besimit publik dhe e aftësisë së institucioneve për të reaguar ndaj çdo forme të krimit zgjedhor”, deklaroi ai.

Sipas tij, roli i SPAK nuk lidhet me vlerësimin e garës politike apo rezultatit të zgjedhjeve, por vetëm me zbatimin e ligjit penal dhe ndjekjen e veprave penale brenda kompetencës së përcaktuar me ligj. Ai theksoi se institucioni që drejton synon të kontribuojë në reformën zgjedhore duke ndarë të dhëna, përvojë hetimore dhe problematika të evidentuara në praktikë, sidomos nga ciklet zgjedhore 2021–2025.

“SPAK nuk vjen në këtë seancë për të vlerësuar garën politike, subjektet zgjedhore apo rezultatin e zgjedhjeve. Ky nuk është as roli ynë, as mandati ynë kushtetues”, u shpreh Braho.

Një pjesë e rëndësishme e fjalës së tij iu kushtua kufijve ligjorë të kompetencës së SPAK në hetimin e krimeve zgjedhore. Braho sqaroi se jo çdo shkelje zgjedhore është automatikisht në juridiksionin e SPAK. Sipas tij, veprat e tjera i përkasin prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm, përveç rasteve kur përfshihen struktura të krimit të organizuar ose subjekte të posaçme.

“Kodi Penal parashikon 15 vepra penale që prekin zgjedhjet e lira, por SPAK ka kompetencë vetëm për korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje, të parashikuara nga nenet 328 dhe 328/b të Kodit Penal. Jo çdo shkelje zgjedhore është në kompetencën tonë dhe jo çdo parregullsi përbën vepër penale”, theksoi Braho, duke shtuar se pritshmëria publike shpesh tejkalon kompetencat ligjore të institucionit.

233 materiale dhe 157 procedime penale

Duke iu referuar të dhënave zyrtare, Braho bëri me dije se gjatë periudhës 2021–2025 SPAK ka trajtuar 233 materiale zgjedhore, nga të cilat 157 janë regjistruar si procedime penale.

Ai paraqiti edhe shpërndarjen vjetore të procedimeve, duke evidentuar se aktiviteti hetimor rritet ndjeshëm në vitet zgjedhore.

“Në vitin 2021 u regjistruan 63 procedime penale, në vitin 2023 36, në vitin 2025 46, ndërsa në vitet e tjera numri ka qenë më i ulët”, u shpreh ai.

Sipas Brahos, kjo tregon se krimi zgjedhor ka një intensitet ciklik, por edhe një karakter të vazhdueshëm që kërkon hetim përtej periudhës së fushatës.

Strategjia e vitit 2025 dhe qasja parandaluese

Kreu i SPAK theksoi se për zgjedhjet e vitit 2025 është zbatuar një strategji e posaçme për hetimin dhe parandalimin e krimit zgjedhor, e cila synonte një qasje më proaktive dhe të koordinuar ndërinstitucionalisht. Sipas tij, për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 janë administruar 194 materiale dhe sinjalizime për dyshime për krime zgjedhore.

Braho shtoi se një ndryshim i rëndësishëm ishte rritja e nismave të vetë institucionit.

“Strategjia e vitit 2025 ishte një hap për të kaluar nga një model reagues drejt një modeli më parandalues dhe të orientuar nga risku. 23.9 për qind e procedimeve janë nisur kryesisht nga SPAK, çka tregon një qasje më proaktive të institucionit”, deklaroi ai.

Në fjalën e tij, Braho vlerësoi bashkëpunimin mes SPAK, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke e konsideruar si një nga elementet më efektive të procesit zgjedhor 2025.

“Protokolli i bashkëpunimit dhe shkëmbimi i informacionit në kohë reale krijuan një mekanizëm më funksional për orientimin e rasteve dhe reagimin më të shpejtë”, tha ai.

Ai theksoi gjithashtu se prania e institucioneve në terren ka pasur efekt të drejtpërdrejtë parandalues. Një tjetër pikë kyçe e fjalës së tij ishte nevoja për rishikim të politikës penale për krimet zgjedhore, sidomos në rastet e organizuara dhe të përsëritura.

“Vetë fakti që institucionet ishin më të koordinuara dhe më të pranishme krijoi një nivel më të lartë vëmendjeje ndaj përgjegjësisë penale. Efekti parandalues i sanksioneve penale mund të mos jetë gjithmonë në përputhje me peshën e fenomenit”, deklaroi ai.

Braho propozoi gjithashtu që hetimet të fokusohen më shumë te gjurma financiare e krimit zgjedhor. “Shitblerja e votës duhet të hetohet si zinxhir financiar që përfshin burimin e parave, ndërmjetësit dhe përfituesit realë politikë”, tha ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›