E Diel, 1 Nëntor 2026

Iniciativa pakistaneze/ Kushtet e Iranit dhe Shteteve të Bashkuara për pranimin e një marrëveshjeje

Mbrëmja e së martës, 7 prill, shënon afatin e fundit për nismën që synon t’i japë fund luftës dhe të hapë Ngushticën e Hormuzit, por hendeku i madh mes kushteve të Uashingtonit dhe Teheranit ka vënë në dyshim serioz arritjen e një marrëveshjeje.

Në qendër të diplomacisë së orëve të fundit është nisma e paraqitur nga Pakistani, me ndërmjetësimin e Egjiptit dhe Turqisë.

Ky propozim parashikon një armëpushim të përkohshëm prej 45 ditësh për t’u dhënë frymëmarrje negociatave. Megjithatë, kritikët vërejnë se ky plan nuk ndryshon shumë nga bisedimet e dështuara përpara shpërthimit të konfliktit të hapur.

Teherani ka shprehur gatishmëri për ta pranuar nismën, por me tre kushte të panegociueshme që vështirësojnë situatën:

Armëpushim i përhershëm: Irani kërkon që ndalimi i luftimeve të zgjasë deri në një marrëveshje finale, duke përfshirë edhe frontin e Hezbollahut në Liban.

Hapje e kushtëzuar e Hormuzit: Ngushtica të hapet vetëm për vendet mike, ndërsa të mbetet e mbyllur për SHBA-të dhe aleatët e saj.

Kompensim ekonomik: Teherani kërkon tarifa tranziti në ngushticë si dëmshpërblim lufte dhe heqjen e menjëhershme të sanksioneve amerikane.

Nga ana tjetër, Donald Trump ka refuzuar armëpushimin 45-ditor, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të operacioneve ushtarake dhe hapjen totale të Hormuzit. Për Trump, çdo marrëveshje që lejon Iranin të mbajë kontrollin mbi ngushticën do të perceptohej si dobësi. Për më tepër, SHBA insiston që çdo akord të përfshijë edhe kufizimin e raketave balistike iraniane me rreze të gjatë veprimi.

Ndërsa diplomacia tenton të gjejë zgjidhje, Izraeli duket i vendosur të pengojë çdo proces paqeje që favorizon Teheranin. Tel Avivi ka intensifikuar sulmet mbi infrastrukturën energjetike iraniane dhe po përgatit plane për izolimin total të Libanit. Sipas burimeve diplomatike, Izraeli synon të mbyllë frontin iranian për t’u përqendruar më pas te asgjësimi i Hezbollahut, duke përfshirë edhe mundësinë e bllokadës ndaj pikave kufitare si ajo e Masnaas.

Shtetet e Gjirit po mbajnë një qëndrim pritës, duke paralajmëruar se koha e mbetur është e pamjaftueshme për të kapërcyer mosmarrëveshjet. Burimet bëjnë me dije se diplomatët arabë po tentojnë të bindin Donald Trump që të mos godasë infrastrukturën energjetike iraniane, në një përpjekje të fundit për të shpëtuar rrugën e dialogut përpara se konflikti të kalojë në një pikë pa kthim.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›