Insekte në vend të pesticideve metoda e re aplikohet në lushnjë, rrit sigurinë e produkteve

Në një kohë kur disa produkte shqiptare të nisura për eksport janë kthyer mbrapsht për shkak të problemeve me përdorimin e pesticideve, në një serë në Lushnjë, perimet po prodhohen pa pasur nevojën e inputeve bujqësore. Në vend të pesticideve, brenda serës ku kultivohen domate, kastraveca, speca, futen insekte për të luftuar insekte.
“Si luftë biologjike është mospërdorimi i pesticideve, pesticide zero. Kjo ka një protokoll për secilën kulturë. Vendosim letrat ngjitëse për të thithur insektet si hap të parë, më pas vendosim ferromonet për të thithur dhe për të bërë ç’orientimin e insketeve dhe në momentin e tretë vendosim insketet e dobishme që janë patogjenë, që hanë insektet”, th agronomi Dhimitraq Qorri.
Një grup fermerësh në Lushnjë e përdor prej 3 vitesh këtë metodë prodhimi, me mbështetjen e GIZ dhe ambasadës gjermane, ndërsa po trajnohen edhe të tjerë për ta zhvilluar më tej si mundësi, falë përfitimeve të shumta.
“Duke parë rritjen e cilësisë së produkteve, duke ruajtur shëndetin, lindi si nevojë përdorimi i luftës biologjike, ky është viti i tretë. Kemi vazhduar punën edhe për trajnimin e fermerëve në të gjithë Shqipërinë, ishim një grup i vogël, ndërsa sot jemi rreth 600 fermerë që e aplikojnë një skemë të tillë për luftën bilogjike. Kemi filluar të mbjellim specin trikolor, domaten mini, domaten cherry, domaten e zezë, duke iu përshtatur kërkesës së tregut në Evropë”, sqaron agronomi.
Produktet që prodhohen në këtë mënyrë, pa përdorur pesticide, sipas fermerëve, dallohen nga të tjerat në ngjyrë dhe në shije. Por këto prodhime janë në sasi të pakta në tregun vendas sepse pjesa më e madhe e tyre eksportohen, falë kërkesës së lartë. /vizionplus.tv