E Diel, 1 Nëntor 2026

Integrimi në BE, Rama: Barrën kryesore e ka ekonomia

TIRANË, 30 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, në një takim informues mbi ecurinë e negociatave me Bashkimin Europian, u ndal te ndikimi që ka ky proces në konsolidimin e institucioneve të drejtësisë.

Sipas Kryeministrit, “institucionet e drejtësisë tanimë kanë kaluar një fazë tjetër, pasi kanë pavarësinë që nuk e kanë pasur kurrë”.

Ndërkohë, Rama theksoi se “me procesin e konsolidimit duhet të rrisin profesionalizmin, paanshmërinë dhe cilësinë e shërbimeve të tyre”.

Sipas tij, “ky proces siguron luftën kundër korrupsionit jo thjesht si një luftë që zhvillohet në frontin mes institucionit të drejtësisë dhe fenomenit të korrupsionit, por si luftë që zhvillohet edhe në frontin e modernizimit të transformimit institucional dhe realizmit të një kapaciteti të gjithë shtetit për të parandaluar korrupsionin, për të parandaluar veprimtari që zhvillohen në hapësira gri apo në mungesë të kanaleve të sigurta institucionale që garantojnë ndërveprime të shpejta e cilësore”.

Barrën më të madhe në gjithë procesin e negociatave, sipas Kryeministrit, e ka ekonomia.

“Por barra bëhet e qartë në gjithë kompleksitetin e vetë kur shikon se si shtrihet tek infrastruktura, energjia, financat, bujqësia e me radhë”, shtoi Rama. /r.e//A.G/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›