Malaj: Aktet nënligjore për Paqen Fiskale po konsultohen me ndërkombëtarët

TIRANË, 30 mars/ATSH-Maela Marini/ Ministri i Financave Petrit Malaj deklaroi sot se të gjitha aktet nënligjore lidhur me Paqen Fiskale dhe faljen e detyrimeve tatimore janë dërguar për konsultim tek partnerët ndërkombëtarë.
Gjatë një konference për mediet, Malaj sqaroi se përse nuk ka nisur ende zbatimi i paqes fiskale.
“Në lidhje me paqen fiskale dhe faljen e detyrimeve, të gjitha aktet nënligjore dhe udhëzimet përkatëse janë përfunduar nga Ministria e Financave. Duke qenë se kanë qenë dy ligje shumë të diskutueshme aktet nënligjore ne i kemi përcjellë tek partnerët tanë ndërkombëtarë”, tha Malaj.
Ministri theksoi se priten komentet për përmirësime eventuale ose sugjerime që partnerët ndërkombëtarë mund të kenë.
“Në momentin që do të marrim përgjigje nga partnerët tanë ndërkombëtare do të vijojmë menjëherë me publikimin e tyre dhe pa diskutim me implementimin e plotë të ligjit si për paqen fiskale edhe për faljen e detyrimeve tatimore dhe doganore”, tha Malaj.
/a.f/r.e/