E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Prokurimet publike me inteligjencë artificiale brenda 2027-ës, reforma për kontrollin financiar

TIRANË, 30 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se është vendimtare që puna e nisur për modernizimin e mëtejshëm të Prokurimeve Publike me inteligjencë artificiale të vazhdojë intensivisht dhe të kurorëzohet brenda vitit 2027.

Gjatë prezantimit të ecurisë së negociatave me Bashkimin Europian, Rama u ndal te reforma e prokurimeve publike, ku theksoi domosdoshmërinë për të kaluar nga një progres i kufizuar në raport me standardet e BE-së në një progres të mirë.

“Duhet të kalojmë nga drita e kuqe te drita jeshile te prokurimi publik, ku kemi bërë një progres të madh në raport me vetveten dhe rajonin, por nuk jemi ende në kornizën e progresit të mirë, që do të thotë dhe plotësim i këtij aspekti si pjesë e kushteve”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se prokurimet publike me inteligjencë artificiale do të çojnë në një nivel krejt tjetër dhe do ta bëjnë Shqipërinë vend shembull në këtë aspekt.

“Dhe kjo nuk është diçka që i përket shekullit të ardhshëm, por duhet t’i përkasë kësaj kornize kohore brenda kalendarit të negociatave. Viti 2027 duhet të na gjejë me këtë objektiv të realizuar”, tha Rama.

Po ashtu, kreu i ekzekutivit theksoi se ka progres të kufizuar lidhur me kontrollin financiar.

“Reforma për kontrollin financiar është e domosdoshme, ndaj kemi nisur një punë paraprake”, shtoi ai.

/r.e//a.g/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›