E Hënë, 2 Nëntor 2026

Interes për bimët mjekësore në Përmet, turistët e huaj kërkojnë produkte bio

Kërkesa për produkte bio dhe natyrale po rritet ndjeshëm, sidomos me ardhjen e stinës së ftohtë. Në Përmet, mbledhja e bimëve medicinale është kthyer në një aktivitet fitimprurës që ruan traditën dhe promovon zonën si destinacion turistik dhe ekologjik.

Arqile Todhi nga Përmet, prej vitesh mbledh bimë dhe fruta të egra në lartësitë e maleve dhe i tregton këto produkte bio.

“I ftohti e ka rritur interesin për bimët medicinale. Njerëzit i kërkojnë dhe, përveç rasteve kur kanë infeksion, ata marrin ilaçe, por kur kalojnë gripëra të lehta apo kanë kollë, ata vijnë dhe marrin këto bimë medicinale. Unë i jam përkushtuar këtyre dhe dje mblodha trëndafila të egër. Është punë e vështirë sepse ato nuk janë në mes të sheshit, por duhen mbledhur nëpër ferra. Është punë e vështirë dhe ka probleme me transportin dhe me procesin e tharjes,” u shpreh Arqile Todhi.

Interes të madh për këto produkte tregojnë edhe turistët e huaj, kryesisht ata gjermanë dhe zviceranë.

 “Gjermanët dhe zviceranët marrin bimë medicinale dhe janë më të përkushtuar sepse edhe i njohin, ndërsa francezët nuk marrin. Kështu kanë interes dhe i shikojnë, bëjnë edhe foto, por nuk blejnë.”

Pjesën më të madhe të bimëve medicinale dhe frutave të egra, Arqile Todhi i mbledh në malet e Dhëmblanit, Nëmërçkës dhe Postenanit.

Gazetare: L. Koçiu

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›