Interpelanca, Blushi: Avokati i Popullit ka adresuar 9 rekomandime për trajtimin kriminal të Metës

TIRANË, 3 shkrut /ATSh/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, zhvilloi sot interpelancë me ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, në lidhje me trajtimin në paraburgim të presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Deputeti i PL-së akuzoi qeverinë për politizim të sistemit të drejtësisë dhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Sipas tij “sistemi penitenciar, nga një institucion rehabilitimi, nën përgjegjësinë tuaj, është kthyer në një makineri çnjerëzore dhune, frike dhe terrori institucional”.
Në fjalën e tij, Blushi iu referua arrestimit të Ilir Metës, më 21 tetor 2024, duke e cilësuar si një “rrëmbim mafioz” të kryer nga persona të maskuar dhe të armatosur. Sipas tij, Meta u mbajt peng për rreth dy orë dhe u fut me forcë në një automjet privat, në mes të ditës.
“Një realitet i errët që nuk fshihet më as pas propagandës, as pas retorikës “evropiane”, sepse e pa e gjithë bota më 21 tetor 2024, kur ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në mbrojtje ligjore nga Garda e Republikës, u rrëmbye dhunshëm nga banditë të maskuar e të armatosur, pa emra dhe pa asnjë kartë me vete, u tërhoq zvarrë në mes të ditës dhe u fut me forcë në një automjet privat, duke u mbajtur për dy orë peng”, tha Blushi.
Blushi u shpreh se prej tre muajsh Avokati i Popullit ka adresuar nëntë rekomandime të detyrueshme për zbatim lidhur me “trajtimin kriminal dhe çnjerëzor të ish-Presidentit”, i cili sipas tij “ndodhet në izolim ekstrem prej më shumë se 15 muajsh, pa prova penale, pa pasuri të paligjshme të sekuestruara dhe pa dëm financiar ndaj shtetit”.
“Standardet e rrëmbimit, janë jo vetëm standardet e hetimit, por edhe të paraburgimit, siç i ka evidentuar edhe Avokati i Popullit”, tha Blushi.
Deputeti ngriti shqetësime edhe për kushtet e paraburgimit të Metës, duke theksuar ndalimin e takimeve me deputetë shqiptarë dhe eurodeputetë, kufizimin e telefonatave, si dhe heqjen e së drejtës për komunikim të deputetëve të Partisë së Lirisë me të.
“Ndalimi i takimeve me deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe eurodeputë, e fundit pak ditë më parë, është në kundërshtim flagrant me ligjin dhe standardet ndërkombëtare. Kufizimi i telefonatave të Meta është thellësisht antiligjor. Sikundër u keni hequr, të gjithë deputetëve të Partisë së Lirisë, të drejtën për të folur lirshëm me zotin Meta”, tha Blushi.
Sipas tij të gjithë të paraburgosurit e tjerë dalin dy herë jashtë në ajrim, ndërsa Ilir Meta është i vetmi që del vetëm një herë.
Blushi theksoi se “beteja për lirinë e Ilir Metës është një betejë për liritë e të drejtat themelore dhe dinjitetin njerëzor të çdo qytetari shqiptar, për respektimin e KEDNJ, të Kushtetutës e ligjit”.
“Përballë një drejtësie të politizuar dhe të kontrolluar nga pushteti dhe një shteti që funksionon si organizatë kriminale, nuk mbrohet thjesht një lider politik, por parimi se askush nuk duhet dhe nuk meriton të jetë viktimë e një sistemi të kalbur dhe të komanduar politikisht nga krimi dhe kartelet e drogës. Kjo interpelancë është ushtrim i drejtpërdrejtë i kontrollit parlamentar, në shërbim të transparencës, llogaridhënies dhe interesit publik”, tha Blushi.
/m.q/a.f/r.e/