E Diel, 1 Nëntor 2026

Interpelanca, Lamallari: Nuk ka trajtim degradues apo çnjerëzor për Ilir Metën

TIRANË, 3 shkrut /ATSh/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari zhvilloi sot interpelancë të kërkuar nga deputeti i Partisë së Lirisë Tedi Blushi, i cili ngriti shqetësimin në lidhje me kushtet në burgje, ndërsa iu referua trajtimit të ish-presidentit Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim.

Gjatë fjalës së tij, Ministri i Drejtësisë, tha se çështjen e paraburgimit opozita nuk duhet ta përdorë për emra të përvetshëm për interesa politike, por duhet të trajtohet edhe shqetësimin i qindra-mijëra qytetarëve.

Sipas ministrit, aktualisht janë 2665 persona në paraburgim, gra dhe burra nga shtresa të ndryshme sociale, për të cilët ende nuk ka një vendim fajësie.

“Ndonëse do të doja që kjo sallë dhe interpelanca të përdoret për misionin që ne kemi këtu, që është ai i përfaqësimit. Përfaqësimit të qindra dhe mijëra qytetarëve që presin nga ne dhe nuk presin të dëgjojnë atë diskursin e emrave të përvetshëm, mbi të cilin opozita shqiptare po dështon që ta lërë pas. Flet në emër të drejtësisë si prokuror dhe gjyqtar për kundërshtarë politikë dhe mban interpelancë për frymëzuesit e partive të tyre, duke dashur që t’ia heqë nga duart e drejtësisë. Ju nuk flisni për qytetarët, ju nuk flisni mbi 2 665 të tillë me emër dhe mbiemër që vijnë nga bekgraunde të ndryshme sociale dhe ekonomike, gra, të mitur, kryefamiljarë të cilët sigurisht janë ende pa një vendim fajësie prapa hekurave”, tha ministri.

Lamallari foli për nevojën për ndërhyrjen në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, me qëllim garantimin e të drejtave dhe trajtimit dinjitoz për të gjithë të paraburgosurit.

“Ndryshe nga ne, duke dashur të përcjellë dhe shqetësimin e ngritur nga Këshilli i Evropës, si mbi kohën e gjatë të qëndrimit në paraburgim apo dhe nevojën për të ndërhyrë në kodet, respektivisht Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, për të garantuar pikërisht të drejta dhe trajtim dinjitoz për të gjithë të paraburgosurit dhe jo për emra të përvetshëm të cilëve ju i referoni.

“Ne kemi detyrimin jo vetëm të flasim për ta, jo vetëm të kërkojmë llogaridhënie nga institucionet, por të bëhemi bashkë për të gjetur gjuhën e përbashkët për të përmirësuar kodet për të ulur marzhet e dënimit, të cilat për fat të keq ende sot e kësaj dite trashëgojnë një mendësi të një kulturë pulitike ndëshkuese e represive. Ky është angazhimi im si Ministër i Drejtësisë, zotimi ynë si qeveri, që të sjellim kodet, respektivisht Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale sipas rekomandimve të Këshillit të Evropës dhe standardeve më të mira të Këshillit Evropian”, tha ai.

Në fjalën e tij gjatë interpelancës, Lamallari tha se raporti i Avokatit të Popullit jep rekomandime përgjithësuese dhe nuk është kurrsesi një raport që konstaton shkelje konkrete apo përgjegjësi individuale në rastin e shtetasit Ilir Meta.

“Duke u angazhuar që t’i shërbej sa më plotësisht të vërtetës dhe duke ju referuar raportit ët Avokatit të Popullit, në mënyrë të plotës, jo vetëm për pjesët që ne na interesojnë.

“Ministria e Drejtësisë është njohur me rekomandimet e Avokatit të Popullit të përcjella me shkresën përkatëse më datën dy. Bëhet fjalë për rekomandime përgjithësuese mbi zbatimin korrekt të ligjit për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe për të drejtat e të paraburgosurve dhe jo për një raport që konstaton shkelje konkrete apo përgjegjësi individuale në rastin e shtetasit në fjalë. Përkundrazi në asnjë moment nuk konstaton dhe  nuk përdor terminologjinë trajtim degradues apo çnjerëzor. Dhe kjo është e vërteta. Raporti i Avokatit të Popullit nuk konstaton se kemi të bëjmë me trajim çnjerëzor apo degradues”, tha Lamallari.

Në vijim të fjalës së tij, ministri Lamallari theksoi se “siguria dhe dinjiteti i zotit Metaj janë garantuar në vijimësi, në përputhje me ligjin “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”. Ai trajtohet si çdo i paraburgosur tjetër, në aspektin e të drejtave dhe detyrimeve”.

Lidhur me kërkesat mediatike për intervista, mes të tjerash Ministri i Drejtësisë tha se “burgjet nuk janë as foltore parlamentare dhe as studio televizive”.

“Përtej kërkesës legjitime të çdo deputeti për interpelancë me anëtarët e Këshillit të Ministrave, unë mendoj se sot, më shumë se kurrë, është e rëndësishme të ndajmë qartë debatin politik nga e vërteta institucionale. Sistemi i drejtësisë dhe ai penitenciar nuk janë dhe nuk mund të jenë instrumente të betejës politike për interesa, as foltore parlamenti dhe as studio televizive. Çdo pretendim për shkelje të të drejtave të njeriut duhet trajtuar me seriozitet, por edhe me përgjegjësi, mbi fakte, ligj dhe standarde të verifikueshme, jo mbi interpretime selektive apo narrativa thellësisht politike. Ministria e Drejtësisë mbetet e vendosur të garantojë barazi përpara ligjit, pa privilegje dhe pa përjashtime, duke mbrojtur njëkohësisht dinjitetin njerëzor, sigurinë publike dhe integritetin e institucioneve. Ky është standardi që i detyrohemi qytetarëve, ky është angazhimi ynë i përditshëm”, tha ministri Lamallari.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›