Investime për ndriçimin në Velipojë, 80% e plazhit i mbuluar, synohet mbulim i plotë

Në prag të sezonit turistik, Bashkia Shkodër po intensifikon investimet për ndriçimin në plazhin e Velipojës, një nga destinacionet më të frekuentuara të vendit.
Aktualisht, puna është përqendruar në rrugët dhe sheshin kryesor të plazhit, ku po vendosen ndriçues të rinj për të garantuar ndriçim më të mirë për pushuesit dhe bizneset.
“Momentalisht po merren dhe po riparohen ndriçuesit kryesorë të Lulishtes së Velipojës edhe të pedonales së Velipojës, pasi bëhet fjalë vetëm këto dy zona kanë rreth 200 ndriçues. Po ashtu ne po realizojmë edhe investime në këtë zonë turistike ku mund të theksojmë që po përfundojmë ndriqimin te Hidrovori. Kemi midis rrugës nëntë edhe tetë”, u shpreh Sadiku.
Në sajë të këtyre investimeve të realizuara nga Bashkia, ndriçimi publik tashmë mbulon pjesën më të madhe të territorit të plazhit.
“Ne i ofrojmë ndriçimi të jetë gjatë gjithë kohës efektiv. Momentalisht ne mbulojmë rreth 80% të zonës turistike me ndriçim rrugor. Normalisht ne do bëjmë hapa për të mbuluar komplet këtë zonë turistike”, shtoi Sadiku.
Përveç ndriçimit Bashkia ka nisur prej disa ditësh aksionet për pastrimin e mirëmbajtjen e infrastrukturës së plazhit të Velipojës.
“Bashkia ka dy javë që ka ndërmarrë një aksion për pastrimin dhe mirëmbajtjen e gjithë infrastrukturës që shërbejnë për turizmin. Kjo në vijim të aksioneve të mëdha që janë bërë për pastrimin e sipërfaqes ranore në bashkëpunim edhe me bizneset. Kemi verifikuar dhe gjithë infrastruktura e domosdoshme për fillimin e sezonit është funksionale”, deklaroi nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Alban Preka.
Me investimet në ndriçim dhe masat e pastrim- mirëmbajtjes, Bashkia Shkodër synon të jetë sa më efikase jo vetëm në aspektin estetik, por edhe në rritjen e sigurisë, shmangien e aksidenteve dhe përmirësimin e jetës sociale gjatë sezonit veror.
/RTSH/