Investimet e huaja direkte arrijnë 398 milionë euro, kryeson Italia

TIRANË, 25 shtator /ATSH/ Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, flukset hyrëse në formën e investimeve të huaja direkte (IHD) gjatë tremujorit të dytë të vitit 2025 arritën në 398 milionë euro, duke shënuar një rritje të lehtë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur investimet ishin 397 milionë euro.
Gjatë kësaj periudhe, investimet e huaja u përqendruan kryesisht në sektorët: pasuri të paluajtshme me 34% e totalit, sektori financiar me 17%, sektori i hidrokarbureve me 11%.
Referuar të dhënave nga BSH-ja, Italia, renditet si investitori kryesor.
Në tremujorin prill-qershor 2025, Italia rezulton të jetë investitori më i madh në Shqipëri, me 44 milionë euro, duke lënë pas Turqinë me 39 milionë euro dhe Kosovën me 38 milionë euro.
Investimet italiane janë përqendruar kryesisht në shërbime, turizëm, energji të rinovueshme, gastronomi.
Në vend të dytë, për sa i përket nivelit të investime në periudhën prill-qershor pozicionohet Turqia me 39 milionë euro.
Ndërkohë, investimet nga Kosova me 38 milionë euro janë të fokusuara në sektorin e tregtisë dhe ndërtimit.
Një tjetër zhvillim pozitiv është edhe dyfishimi i investimeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat arritën në 27 milionë euro gjatë tremujorit të dytë, nga 11 milionë euro në fillim të vitit.
Në total, për 6-mujorin e parë të vitit 2025, vlera e investimeve të huaja direkte ka arritur në 759 milionë euro, duke shënuar një rritje të lehtë prej 1% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. /j.p/