E Diel, 1 Nëntor 2026

AKSK dhe British Council memorandum mirëkuptimi për zhvillimin e kapaciteteve në sigurinë kibernetike

TIRANË, 27 shkurt/ATSH/ Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dhe British Council nënshkruan një memorandum mirëkuptimi, duke vendosur një kuadër bashkëpunimi afatgjatë në zhvillimin e aftësive, mbështetjen e politikave dhe rritjen e kapaciteteve në sigurinë kibernetike. Marrëveshja u formalizua në kuadër të aktivitetit përmbyllës të projektit CybHER, në prani të Nick Abbott, Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri dhe Majlinda Mazelliu, Drejtoreshë e British Council për Shqipërinë dhe Kosovën, të cilët theksuan rëndësinë e investimit në kapitalin njerëzor dhe partneritetet afatgjata për zhvillimin e sektorit. Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm në Detyrë i AKSK, Saimir Kapllani, e cilësoi zhvillimin e talenteve në sigurinë kibernetike si prioritet strategjik, duke nënvizuar se kjo fushë përbën një komponent thelbësor të sigurisë kombëtare. Kapllani u shpreh se asnjë strategji apo teknologji nuk mund të jetë efektive pa kapacitetet njerëzore që i japin jetë këtyre mekanizmave, duke e konsideruar investimin në aftësi, njohuri, përvojë dhe talent si themelin e një sistemi të qëndrueshëm të sigurisë kibernetike. Në këtë kuadër, Kapllani vuri theks të veçantë në rëndësinë e fuqizimit të vajzave dhe grave në këtë sektor, jo vetëm si çështje barazie, por si rritje reale e kapaciteteve kombëtare dhe forcim i cilësisë së ekipeve përballë kërcënimeve komplekse. Memorandumi synon të thellojë bashkëpunimin në programe trajnimi, iniciativa për zhvillimin e talenteve dhe kapaciteteve në fushën e sigurisë kibernetike, me fokus të veçantë në krijimin e mundësive konkrete për vajzat dhe gratë që synojnë të zhvillohen profesionalisht në këtë sektor. 1 nga 6 /k.s/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›