Erjon Riçku emërohet në krye të Doganës së Tiranës

TIRANË, 27 shkurt/ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, prezantoi sot Erjon Riçkun si kryetarin e ri të Doganës së Tiranës.
Emërimi i Riçkut vjen pas përfundimit të mandatit trevjeçar të Ermal Shemës, i cili ka drejtuar këtë degë të rëndësishme të administratës doganore.
Në fjalën e tij, Beja theksoi se Riçku sjell një eksperiencë të pasur dhe të suksesshme në administratën shtetërore, duke e konsideruar këtë si një vlerë të shtuar për drejtimin e Doganës së Tiranës.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave nënvizoi se përpara Riçkut dhe ekipit të tij qëndrojnë sfida të mëdha, si dhe nevoja për përmirësimin e vazhdueshëm të shumë proceseve të brendshme.
Ai theksoi rëndësinë e zbatimit të ligjit si parim udhëheqës dhe angazhimin për rritjen e efikasitetit, transparencës dhe cilësisë së shërbimit.
Beja kërkoi nga stafi angazhim të plotë për të ndërtuar një shërbim model, ku kujdesi ndaj qytetarëve dhe operatorëve ekonomikë, si dhe etika profesionale, do të jenë standarde të çdo dite pune.
“Dogana e Tiranës është fytyra e administratës doganore dhe çdo veprim i saj do të ndikojë në imazhin e institucionit”, u shpreh Beja.
1 nga 2/a.f/