Irani propozon paqe me SHBA, Uashingtoni flet për fund lufte, Izraeli paralajmëron goditje të reja

Irani ka paraqitur propozimin e tij më të fundit për t’i dhënë fund luftës me Shtetet e Bashkuara.
Propozimi ka mbërritur në duart e amerikanëve përmes ndërmjetësve pakistanezë, në një kohë kur negociatat e drejtpërdrejta dukeshin të bllokuara. Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë po përpiqet të bindë Kongresin se lufta ka përfunduar efektivisht që me armëpushimin e 8 prillit.
Administrata amerikane pretendon se lufta ka përfunduar de facto që me hyrjen në fuqi të armëpushimit. Ky qëndrim synon të shmangë detyrimin për të kërkuar miratim nga Kongresi, sipas ligjit të vitit 1973 për kompetencat e luftës.
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi në Senat se armëpushimi e ka ndalur praktikisht konfliktin. Sipas zyrtarëve amerikanë, nuk ka pasur më përplasje ushtarake që nga fillimi i armëpushimit në prill. Por situata mbetet e tensionuar në rajon, pasi Izraeli paralajmëron zhvillime të reja. Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi këtë të premte se operacionet ndaj Iranit mund të rifillojnë së shpejti.
Ai theksoi se objektivat strategjikë të Tel Avivit nuk kanë ndryshuar dhe presioni ndaj Iranit do të vijojë. “Kjo është një mundësi historike për të ndryshuar realitetin rajonal”, u shpreh Katz, duke lënë të hapur mundësinë e përshkallëzimit, teksa më shumë se 6500 tonë eksplozivë arritën nga në Tel Avivi nga Shtetet e Bashkuara.
Gazetar: A. Mata
/rtsh.al/