Protestat në Tiranë/ Avokati i Popullit: Intervistimi i të miturve s’regjistrohet

Grupe të monitorimit të Avokatit të Popullit ishin në terren për monitorimin e protestës së të shtunës, si dhe në komisariate për të shoqëruarit.
Sipas një njoftimi zyrtar të Avokatit të Popullit, disa nga të shoqëruarit, kanë deklaruar se ishin kalimtarë dhe se nuk kishin marrë pjesë në protestë.
Ndërsa për të miturit, u bënë intervistime në prani të psikologut dhe u njoftuan familjet e tyre.


“U konstatua sërish se në komisariatin numër 1, nuk ka sistem audio-viziv për regjistrimin e intervistave”, thuhet në njoftim.
Avokati i Popullit thekson se përdorimi i forcës nga policia duhet të përdoret vetëm kur është i domosdoshëm, i ligjshëm dhe proporcional, dhe rekomandon që të bëhet verifikim i plotë edhe për përdorimin e gazit lotsjellës dhe ujit.
Deklarata e plotë e Avokatit të Popullit
Avokati i Popullit thekson se përdorimi i forcës nga policia duhet të përdoret vetëm kur është i domosdoshëm, i ligjshëm dhe proporcional. Ky standard vlen për çdo protestë.
Protesta përpara Ministrisë së Arsimit filloi rreth orës 12:00 të së shtunës, 31 tetor 2026. Rreth një orë më vonë, situata u përshkallëzua në përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit. Kostatuam përdorimin e gazit lotsjellës dhe të ujit me presion nga katër automjete të posaçme të policisë.
Grupi i monitorimit i Avokatit të Popullit inspektoi komisariatet nr. 1, 3 dhe 4 dhe mori informacion nga komisariatet nr. 2, 5 dhe 6.
Gjatë protestës u shoqëruan nëntë persona: gjashtë në Komisariatin nr. 1 dhe tre në Komisariatin nr. 3. Katër prej tyre ishin të mitur. Katër të rriturit në Komisariatin nr. 1 deklaruan se ishin kalimtarë dhe nuk kishin marrë pjesë në protestë.
Dy të miturit në Komisariatin nr. 1 u intervistuan në prani të psikologut dhe të Agjencisë për Mbrojtjen e Fëmijëve, dhe familjet e tyre u njoftuan. U konstatua sërish se në këtë komisariat nuk ka sistem audioviziv për regjistrimin e intervistave.
Për në vijim Avokati i Popullit rekomandon:
• Verifikim të plotë të përdorimit të forcës, me vlerësim të domosdoshmërisë, ligjshmërisë dhe proporcionalitetit të mjeteve, përfshirë gazin lotsjellës dhe ujin me presion.
• Instalimin e sistemit audioviziv për regjistrimin e intervistave.
• Dokumentimin e arsyeve konkrete për çdo shoqërim, dhe informimin e çdo të ndaluari për arsyet e ndalimit.
* Identifikimin e çdo punonjësi të policisë në çdo kohë duke garantuar që uniforma përmban numrin e identifikimit.
Avokati i Popullit fton çdo person, i cili beson se të drejtat e tij janë shkelur gjatë protestës ose gjatë shoqërimit, t'i drejtohet institucionit me ankesë individuale.