Arrestimi i 4 krerëve të UÇK, Sulo: Qeveria shqiptare dhe ajo kosovare nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim, protesta s’ka asnjë efekt

Analisti Arion Sulo, i ftuar në emisionin “Trialog” në RTSH 1, moderuar nga Alba Alishani, ka hedhur dritë mbi qasjen zyrtare të Tiranës dhe Prishtinës ndaj rastit të katër ish-luftëtarëve të UÇK-së që mbahen në Hagë, duke qenë kritik ndaj mungesës së veprimeve konkrete.
Sipas Sulos, pavarësisht se protestat mund të kenë fituar mbështetje politike për disa palë, ato kanë efekt vetëm mediatik, jo juridik mbi Gjykatën e Hagës.
Akuzat ndaj Tiranës dhe Prishtinës
Analisti theksoi një mungesë të theksuar të përpjekjeve institucionale nga dy qeveritë shqiptare.
“Qeveria e Ramës nuk ka bërë asgjë as diplomatike, as juridike në ndihmë të krerëve të UÇK-së në OKB, KE, BE etj. Aq më keq Kosova,” deklaroi Sulo.
Në lidhje me Kosovën, Sulo solli një ndarje të qartë, duke theksuar se Kryeministri Albin Kurti, sipas tij, ka dalë “hapur kundër protestës sepse i ka kundërshtar”. Analisti vuri në dyshim sinqeritetin e parullave të disa aktorëve, duke thënë: “Parullat janë të bukura, por ato duhet të jenë të vërteta.”
Sulo vlerësoi të drejtë një lëvizje të Kryeministrit Rama, duke thënë: “Rama u tërhoq dhe bëri mirë”.
/rtsh.al/