E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilir Meta kërkon sërish lirimin nga burgu, GJKKO vendos për fatin e tij në vijim

TIRANË – Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i është drejtuar sërish Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) me një kërkesë për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, në kuadër të dosjes së bujshme CEZ-DIA dhe aferës së lobimit në SHBA.

Kërkesa e fundit për liri përkon me 1-vjetorin e arrestimit të tij, më 21 tetor 2024, ndërsa mbrojtja e Metës pretendon se kushtet për mbajtjen në burg nuk qëndrojnë më. Megjithatë, kjo është hera e katërt që kërkesa për ndryshim të masës rrëzohet – më 17 tetor, Gjykata e Lartë refuzoi rekursin e Metës, duke konfirmuar masën e sigurisë.

Ish-presidenti Meta akuzohet nga SPAK për tre vepra penale:

  • Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë,

  • Pastrim parash, dhe

  • Fshehje të pasurisë.

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme janë mbyllur që më 28 korrik 2025, ndërsa dosja u kalua për gjykim në fund të muajit gusht. Ajo përfshin tre hetime të bashkuara: afera CEZ-DIA, skandali i lobimit të LSI në SHBA dhe verifikimi pasuror i Metës.

Aktualisht, çështja ndodhet në fazën paraprake, ku gjyqtarja Irena Gjoka do të vendosë nëse dosja do të kalojë në gjykim të plotë apo do të rrëzohet.

Ilir Meta vijon të mbahet në paraburgim, ndërsa përmes avokatëve të tij, ai ka mohuar të gjitha akuzat, duke i cilësuar ato si politike dhe të fabrikuara nga kundërshtarët e tij.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›