Izolohet vatra e zjarrit në Priskën e Madhe, një helikopter dhe forcat e zjarrfikësve në terren

TIRANË, 14 gusht /ATSH/ Situata e zjarreve në disa zona të Tiranës vijon të mbahet nën kontroll nga strukturat e emergjencave që janë të angazhuara në terren.
Sipas Top Channel, vatra e zjarrit e nisur në Priskë të Madhe dhe e përhapur më pas në drejtim të Lundrës, Gurrës së Madhe dhe Farkës së Madhe është aktualisht nën kontroll.
Operacioni për shuarjen e zjarrit po mbështetet nga ajri, me një helikopter që po kryen ndërhyrje të vazhdueshme, duke u furnizuar me ujë në liqenin e Farkës, pranë zonës së vatrave.
Në terren janë angazhuar dy ekipe zjarrfikësish, punonjës të bashkisë dhe të strukturave të emergjencave civile, të cilët po punojnë për izolimin dhe shuarjen e vatrave të mbetura.
Ndërkohë, situata sipas TCH mbetet më shqetësuese në zonën e malit të Dajtit, ku zjarri i nisur në Qafë-Mollë është përhapur në faqen tjetër të malit, duke u bërë i dukshëm edhe nga qyteti i Tiranës.
Forcat ajrore janë përqendruar në këtë zonë për të frenuar përhapjen e flakëve dhe për të mbrojtur sipërfaqen pyjore. Edhe në këtë vatër nuk raportohet rrezik i drejtpërdrejtë për banesat.
/e.i/a.f/r.e/