E Diel, 1 Nëntor 2026

Portofoli i kredisë për sektorin privat u rrit me rreth 14%

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Portofoli i kredisë për sektorin privat u rrit me rreth 14% në tremujorin e dytë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke reflektuar rritjen e financimit bankar për bizneset dhe individët.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, zgjerimi i kreditimit është shtrirë në pjesën më të madhe të kategorive. Për bizneset, kërkesa për kredi vijon të jetë e lartë, veçanërisht për investime, nevoja për likuiditet dhe zgjerimin e aktivitetit.

Bankat raportojnë se standardet e kreditimit për bizneset kanë mbetur përgjithësisht të pandryshuara, ndërsa konkurrenca në sektorin bankar ka ndikuar në krijimin e kushteve më të favorshme për huamarrësit.

Rritje të kërkesës për financim është evidentuar edhe nga bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat po përdorin më shumë kredinë bankare për zgjerimin e kapaciteteve, blerjen e pajisjeve dhe zhvillimin e aktivitetit.

Edhe individët kanë vijuar të rrisin kërkesën për kredi, kryesisht për blerjen e banesave dhe financimin e konsumit. Sipas bankave, lehtësimi i kushteve të financimit dhe konkurrenca më e madhe në treg kanë ndikuar në këtë tendencë.

Ndërkohë, kredia në lekë po fiton peshë më të madhe në portofolin bankar, pasi financimi në monedhën vendase është rritur me ritme më të shpejta.

Zgjerimi i kreditimit për sektorin privat shihet si një sinjal pozitiv për aktivitetin ekonomik, pasi krijon më shumë mundësi për investime dhe zgjerim të bizneseve, ndërsa për individët mbështet financimin e banesave dhe konsumit.

/e.xh/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›