“Izraeli ka të drejtë të mbrohet”, shefja e BE-së: Irani s’mund të ketë armë bërthamore

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i tha Kryeministrit Benjamin Netanyahu të dielën se diplomacia ishte zgjidhja më e mirë për konfliktin me Iranin, por nuk bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.
Von der Leyen tha se ishte dakord me Netanyahun se “Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore, pa asnjë dyshim”.
“Sigurisht që mendoj se një zgjidhje e negociuar është, në planin afatgjatë, zgjidhja më e mire”, tha ajo në një konferencë për shtyp në samitin e G7 në Kananaskis të Kanadasë.

Izraeli nisi një sulm të papritur dhe masiv ushtarak të premten ndaj Iranit, duke synuar vendet bërthamore dhe ushtarake dhe udhëheqësit ushtarakë, si dhe vendet e magazinimit dhe prodhimit të armëve.
Irani është përgjigjur me breshëri raketash dhe dronësh drejt Izraelit, shumica e të cilave janë penguar nga sistemi i mbrojtjes ajrore, megjithëse disa raketa kanë kaluar duke goditur qytete dhe duke shkaktuar vdekje, lëndime dhe shkatërrime.
Von der Leyen, e cila ka qenë kritike ndaj Izraelit për ofensivën e tij në Gaza, ia hodhi fajin për konfliktin e ri Iranit.
“Në këtë kontekst, Izraeli ka të drejtë të mbrohet. Irani është burimi kryesor i paqëndrueshmërisë rajonale”, tha von der Leyen.
Ajo tha se samiti i G7 duhet të diskutojë krizën e Iranit së bashku me Ukrainën, e cila është goditur nga dronë të shitur Rusisë nga shteti i drejtuar nga klerikët e Teheranit.”
“Të njëjtat lloje dronësh dhe raketash balistike të projektuara dhe të prodhuara nga Irani po godasin pa dallim qytetet në Ukrainë dhe në Izrael. Si të tilla, këto kërcënime duhet të adresohen së bashku”, tha ajo./vizionplus.tv