E Martë, 3 Nëntor 2026

PARIS – Rubio: Nëse nuk e mbyll dot luftën në Ukrainë, SHBA ka të tjera përparësi

PARIS, 18 prill /ATSH-ANSA/ – Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio deklaroi se nëse lufta në Ukrainë nuk mund të përfundojë, atëherë Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të duhet të braktisin përpjekjet e tyre dhe të vazhdojnë përpara, pasi kanë të tjera përparësi.

“Nëse nuk është e mundur t’i japim fund luftës në Ukrainë, ne duhet të kthejmë faqen”, theksoi ai për gazetarët përpara se të largohej nga Parisi.

“Kjo nuk është lufta jonë. Nuk e filluam ne atë. Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar Ukrainën për tre vitet e fundit dhe ne duam që ajo të përfundojë, por nuk është lufta jonë”, theksoi ai.

Një ditë pas takimeve në Paris mes amerikanëve, evropianëve dhe ukrainasve, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio tha se ishte e nevojshme të përcaktohej në ditët në vijim nëse paqja ishte apo jo e realizueshme në Ukrainë duke theksuar se “Shtetet e Bashkuara kanë prioritete të tjera”.

“Ne duhet të vlerësojmë në ditët në vijim nëse (paqja) është e realizueshme apo jo dhe nëse nuk është e mundur t’u tregojmë atyre prioritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, theksoi Rubio./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›