Jaupaj: 9 shërbime online në platformën SIM për të dhënat mjedisore
TIRANË,12 shkurt /ATSH/ Ministria e Mjedisit ka shënuar një hap të ri drejt digjitalizimit të shërbimeve mjedisore me lançimin e Sistemit të Integruar Mjedisor (SIM), një platformë e unifikuar që synon rritjen e transparencës dhe uljen e burokracisë në sektor.
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj bëri të ditur se SIM është tashmë online dhe funksional si një platformë e vetme e dedikuar për të dhënat mjedisore, duke ofruar në fazën e parë 9 shërbime online.
“Sistemi i Integruar Mjedisor (SIM) është tashmë online si një platformë e vetme dedikuar të dhënave mjedisore, duke ofruar 9 shërbime online, më shumë transparencë dhe më pak burokraci”, u shpreh ministri.
Sipas tij, platforma përfshin një gamë të plotë shërbimesh, që nga aplikimet për leje mjedisore, konsultimet me publikun dhe publikimin e raporteve, deri tek aplikimet me kod unik dhe ndjekja e tyre në kohë reale.
“Gjithçka tashmë është e integruar në një sistem të unifikuar, të aksesueshëm dhe në kohë reale, duke lehtësuar komunikimin mes qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve”, theksoi Jaupaj.
Ministri nënvizoi se projekti është finalizuar me sukses nga Ministria e Mjedisit në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), duke e cilësuar atë një hap konkret drejt modernizimit të sektorit dhe përputhjes me standardet europiane.
Sipas tij, SIM do të kontribuojë në rritjen e efikasitetit institucional, përmirësimin e monitorimit të të dhënave mjedisore dhe forcimin e transparencës për publikun.
Me këtë platformë, Ministria e Mjedisit synon të avancojë procesin e transformimit digjital dhe të krijojë një sistem më të hapur, më të shpejtë dhe më të besueshëm për menaxhimin e çështjeve mjedisore në vend.

/j.p/r.e/