E Martë, 3 Nëntor 2026

Jaupllari: Rregullimet ligjore për shëndetin e kafshëve, hap drejt integrimit në BE në fushën e sigurisë ushqimore

TIRANË, 9 qershor /ATSH/ Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, diskutoi sot projektligjin “Për shëndetin e kafshëve”.

Gjatë prezantimit të projektligjit, zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Arjan Jaupllari tha se, “nisma ligjore vjen në përputhje me direktivën e BE-së, dhe është projektligj kyç i integrimit europian në fushën e sigurisë ushqimore dhe përfaqëson një hap strategjik përpara, në modernizimin e sektorit veterinar dhe mbrojtjes së popullatës dhe mjedisit”.

Sipas tij, pr/ligji “Për shëndetin e kafshëve” përcakton rregullat strike për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve të kafshëve, të cilat janë të transmetueshme te kafshët ose te njerëzit.

Ndërsa adreson masa për organizimin sipas përparësive të klasifikimit të sëmundjeve dhe përcaktimin e përgjegjësive në fushën e shëndetit të kafshëve. “Ky projektligj garanton sigurinë e shëndetit të kafshëve dhe njerëzve, dhe përmirëson gjurmueshmërinë dhe kontrollin e produkteve me origjinë shtazore”, u shpreh zv.ministri.

Projektligji u hartua si pjesë e procesit të përafrimit të legjislacionit të Bashkimit Evropian dhe përcakton rregullat e përgjithshme dhe specifike për të gjitha llojet e kafshëve.

Jaupllari thekoi se, projektligji siguron, nëpërmjet rregullave, shëndetin e kafshëve, në mbështetje të prodhimit të qëndrueshëm blegtoral e të akuakulturës në vend, funksionimin efikas të tregut, zbutjen e efekteve negative për shëndetin e kafshëve, shëndetin publik dhe në mjedis në lidhje me sëmundje të caktuara.

Gjatë diskutimit të projektligjit, deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani, u shpreh në mbështetje të ligjit për kafshët blegtorale, por shprehu shqetësimin për rënien e numri të krerëve në blegtori.

“Për cilat kafshë po i bëni këto ligje, pasi kafshë blegtorale në Shqipëri nuk ka më. Fshatrat janë braktisë ashtu sikurse bimë, pasi e keni bërë beton qytetin e Tiranës dhe Shqipërinë dhe nuk keni lënë bimë. Megjithatë ajo që më shqetëson është fakti se kjo qeveri e ka lënë qytetarin në listën e fundit të prioriteteve”, tha ai.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›