“Jemi në diktaturë perverse”/ Aktori Mehdi Malkaj në “Foltore”: PD hoqi vizat, si harrohet kjo?!

Partia Demokratike dhe aleatët e saj kanë mbajtur foltoren e rradhës para Kryeministrisë.
Gjatë fjalës së tij, aktori i mirënjohur Mehdi Malkaj iu drejtuar të pranishmëve, ai theksoi nevojën për “të menduar, folur dhe luftuar me zemër”.
Sipas tij, pavarësisht çdo të keqeje që mund t’i atribuohet PD-së, heqja e vizave për shqiptarët është një akt që nuk duhet harruar kurrë.
“U hoqën vizat! Për herë të parë shqiptarët hipën nga avioni, zbritën dhe vajtën atje ku deshën. Si harrohet kjo?” pyeti ai në mënyrë retorike, duke shtuar se ky vendim ishte për të gjithë, përfshirë socialistë e të tjerë, pa dallim bindjesh politike.
Ndërsa bëri një rezyme të situatës aktuale, aktori Malkaj, hodhi poshtë idenë se vendi ka rrëshqitur thjesht në autokraci, duke e konsideruar atë, “një diktaturë perverse!”.
“Kemi nevojë që të mendojmë me zemër, të flasim me zemër dhe të luftojmë me zemër. Po PD-ja mund të ketë bërë të gjitha të këqijat që ekzistojnë në botë, PD-ja. Ose ata që thonë se si e thonë, po PD-ja ka bërë një gjë që unë nuk e harroj kurrë, se duke pasur kujtesën emocionale të shkurtër ky populli ynë, i harron gjërat shpejt.
U hoqën vizat! Për herë të parë shqiptarët hipën nga avioni, zbritën dhe vajtën atje ku deshën. Si harrohet kjo? Si harrohet kjo? Kjo është fatkeqësi e madhe kombëtare, se u hoqën vizat për socialistë, për ballistë, për të gjitha. Nuk kishte. Atëherë, edhe njëherë zotërinj, ju këtu më dëgjuat, po dhe ju të tjerët që më shani ndonjë çikë, puna juaj, ajo është detyra juaj, juve atë u kanë thënë që shani ndonjë çikë, edhe për juve që shani, edhe për ju janë hequr vizat. Janë hequr vizat për të gjithë popullin shqiptar, nga Lëpusha e deri në Konispol. Që të jetojë i lirë.
Miq të dashur, thotë Shekspiri: se fjala pa mendim në qiell nuk shkon, thotë. Domethënë që Zoti duhet ta dëgjojë lutjen tonë. Po neve a jemi neve të mirë sa të vemi deri atje të komunikojmë me Zotin? Zotin e kemi me vete. Dhe mos ma zbusni atë kur thoni ndonjëherë, qoftë ju të PD-së, udhëheqja e PD-së, qoftë edhe të tjerët. Nuk kemi shkarë në autokraci. Jemi në një diktaturë perverse! Duam apo s’duam neve, jemi, na udhëheqin pervers. Na udhëheq ai, ai që është lindja i, lindi dielli, lindi qielli. Për atë e kam fjalën”.