“Jepuni azil”/ Trump apel Australisë: Mos lejoni kthimin e Kombëtares së Iranit në Teheran

Presidenti i SHBA, Donald Trump ka reaguar së fundmi përmes një postimi në “Truth Social” teksa ka theksuar se Australia po gabon me vendimin për të lejuar kthimin në Teheran të Kombëtares iraniane të futbollit për femra.
Sipas asaj që shkruan kreu i Shtëpisë së Bardhë, për shkak të luftës ato mund të vriten ndërsa i bën thirrje kryeministrit australian të mos e lejojë këtë dhe t’iu japë azil.
“Australia po bën një gabim të tmerrshëm humanitar duke lejuar që ekipi kombëtar iranian i futbollit për femra të detyrohet të kthehet në Iran, ku ka shumë të ngjarë të vritet. Mos e bëni këtë, z. Kryeministër, jepni AZIL. SHBA-të do t’i marrin nëse nuk doni. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje”, shkruan Trump.

Sipas mediave ndërkombëtare, 5 futbolliste iraniane janë marrë nën mbrojtjen e policisë australiane pasi refuzuan të kthehen në vendin e tyre pas eliminimit të ekipit nga Kupa e Azisë.
Ditën e sotme ka patur tensione në hotelin e ekipit, në Gold Coast, ku protestuesit kundër regjimit iranian u mblodhën ndërsa lojtaret po përgatiteshin të hipnin në një autobus që do t’i çonte në aeroport për fluturimin e kthimit në Iran.