Jole: Nuk ka problematika nga reshjet në qarkun e Korçës

TIRANË, 6 janar/ATSH/ Situata nga reshjet e rëna gjatë natës në qarkun e Korçës, paraqitet e qetë dhe pa problematika.
Nga një komunikim me prefektin e Korçës, Nertil Jole, ATSH mësoi se, strukturat vendore të mbrojtjes civile dhe institucionet përgjegjëse në qarkun e Korçës e kanë situatën nën kontroll dhe nuk raportojnë për dëme apo situata emergjente.
Në bashkitë Korçë, Kolonjë, Maliq, Pogradec, Devoll dhe Pustec nuk raportohen problematika. Nga ARRSH, Rajoni Qendër–Lindje, në raportimin e mëngjesit të sotëm informohet se përgjatë akseve rrugore Korçë–Ersekë, Zemblak–Dogana Goricë, Bilisht–Miras, Boboshticë–Dardhë, Lapidar Podgorie–Podgorie–Liqenas, si dhe në segmentet Ersekë–Leskovik–3 Urat dhe Maliq–Kufi Gramsh, ka reshje shiu me intensitet të ulët deri mesatar, temperaturat mbi zero gradë Celsius dhe qarkullimi i automjeteve vijon normalisht.
Nga OSHEE bëhet me dije se të gjithë fidrat janë në punë dhe të gjithë abonentët furnizohen normalisht me energji elektrike.
Prefekti Jole tha për ATSH-në se, strukturat janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës.
/r.e/a.f/