E Diel, 1 Nëntor 2026

FRANCË – Pesë viktima dhe bllokim trafiku nga dëbora deri në 1 000 kilometra në Paris

PARIS, 6 janar /ATSH-DPA-AFP/ – Moti dimëror solli ndërprerje të transportit në të gjithë rajonin e Parisit të hënën, duke shkaktuar më shumë se 1 000 kilometra bllokime trafiku në kulmin e tyre, sipas shërbimit të trafikut ”Sytadin”, ndërkohë që u regjistruan pesë viktima në Ile-de-France dhe Marne.

Shoferët në dhe përreth Parisit, ku dimrat zakonisht janë të butë dhe shumica e automjeteve nuk janë të pajisura me goma dimërore, iu nënshtruan kufizimeve më të rrepta të shpejtësisë.

Sipas një urdhri nga prefektura e policisë së Parisit, shoferët duhej të kufizonin shpejtësinë e tyre në 80 kilometra në orë.

Kushtet e borës dhe akullit gjithashtu prishën trafikun në Francën veriperëndimore, duke përfshirë Normandinë dhe Bretanjën.

Transporti publik në kryeqytet u prek gjithashtu.

Operatori i transportit të Parisit RATP tha se shërbimet e autobusëve u pezulluan përkohësisht, ndërsa shërbimet rajonale të trenave gjithashtu patën ndërprerje.

Moti i detyroi autoritetet të shkurtojnë fluturimet në aeroportet ”Charles de Gaulle” dhe ”Orly” të Parisit me 15% deri në mbrëmje, tha ministri francez i Transportit, Philippe Tabarot.

Ai shtoi se pistat duheshin pastruar dhe akulli i avionëve duhej shkrirë./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›