E Diel, 1 Nëntor 2026

Vijojnë shkarkimet në Vaun e Dejës dhe Koman, nuk ka shkarkime në Fierzë

TIRANË, 7 janar/ATSH/ Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) bëri të ditur se situata në kaskadën e lumit Drin mbetet e vështirë, ndërsa parashikimet meteorologjike tregojnë se reshjet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Sipas të dhënave më të fundit, prurjet natyrore në kaskadë arrijnë rreth 2300 metra kub për sekondë në Fierzë, 1150 metra kub për sekondë në Koman dhe 400 metra kub për sekondë në Vaun e Dejës, duke arritur një total prej 3850 metrash kub për sekondë.

Nivelet aktuale të liqeneve janë: 285 metra në Fierzë, 174,13 metra në Koman dhe 75 metra në Vaun e Dejës.

KESH informoi se në Fierzë nuk po kryhet shkarkime, ndërsa në Koman shkarkohen 1200 metra kub për sekondë dhe në Vaun e Dejës 1600 metra kub për sekondë.

Shkarkimet fundore në Vaun e Dejës mbeten në 1600 metra kub për sekondë, ndërsa akumulimi i volumit total në liqenin e Fierzës arrin 2250 metra kub për sekondë.

Sipas KESH-it, prodhimi ditor i energjisë në kaskadë është 12.130 MWh.

KESH bën të ditur se po monitoron situatën hidrike në çdo moment dhe po merr masat e nevojshme për një menaxhim të sigurt dhe efikas të burimeve ujore, duke garantuar stabilitetin e sistemit energjetik kombëtar dhe parandalimin e rreziqeve të mundshme nga reshjet e vazhdueshme.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›