Juria digjitale në “Tapetin e Kuq” të Festivalit të Pranverës: RTSH ka nxjerrë gjithmonë emra të rëndësishëm të muzikës nga festivalet

Në kuadër të Festivalit të Pranverës është prezantuar edhe juria “Pranvera Digjitale”, e përbërë nga figura të njohura të rrjeteve sociale dhe ekranit, e cila do të ketë rol në vlerësimin e performancave të artistëve të rinj.
Influencuesja Sara Berisha u shpreh se këngët pjesëmarrëse i kanë pëlqyer të gjitha dhe mezi pret të shohë performancat live në skenë.
“Këngët më kanë pëlqyer të gjitha dhe mezi po pres të shoh performancat në skenë, veshjet dhe interpretimet, për të dhënë pikët e mia. Ky është një hap i rëndësishëm për karrierën e këtyre të rinjve,” tha ajo.
Edhe Arjon Muça e cilësoi pjesëmarrjen në juri si një eksperiencë të veçantë dhe me përgjegjësi të madhe.
“Është hera e parë që jam pjesë e një jurie dhe jam shumë i lumtur. Dua të vlerësoj më të mirin dhe ndihem i lidhur me muzikën e vjetër, por më pëlqen kur një këngë moderne është e strukturuar dhe e orkestruar bukur,” u shpreh Muça.
Aktori Amos Zaharia theksoi rëndësinë e festivalit si një hapësirë ku lindin artistë të rinj dhe ndërtohen karriera muzikore.
“Ka shumë pritshmëri dhe besoj se do të jenë netë shumë energjike. Ky është një festival ku krijohen figura dhe artistë të mëdhenj. RTSH ka nxjerrë gjithmonë emra të rëndësishëm të muzikës dhe ky festival është një katalizator për artistët e rinj,” tha ai.
Edhe anëtarja e jurisë “Pranvera Digjitale”, Rizarta Hoxha u shpreh e surprizuar nga këngët dhe e lumtur për talentin e artistëve të rinj, duke theksuar se arti i mirë i përshtatet të gjitha moshave dhe se pret performanca të shkëlqyera në skenë.
Edhe Krista Merkoçi vlerësoi pjesëmarrjen në jurinë digjitale, duke thënë se këngët i janë dukur interesante, por se mezi pret emocionet e performancave live.
“Jam shumë e kënaqur që jam pjesë e jurisë digjitale. Kam dy ditë që mendoj se çfarë emocionesh do të më japë skena live,” u shpreh ajo.
Juria “Pranvera Digjitale” përbëhet nga: Sara Berisha, Amos Zaharia, Krista Merkoçi, Arjon Muça dhe Rizarta Hoxha.
Organizatorët kanë bërë të ditur se fituesi i festivalit do të përcaktohet përmes një formule të kombinuar vlerësimi: 60% nga Juria Profesionale dhe 40% nga Juria “Pranvera Digjitale”. Kjo skemë synon të balancojë ekspertizën artistike me perceptimin bashkëkohor të medias dhe publikut digjital.
/rtsh.al/