Juristja Gjikondi: Veliaj s’mund ta mbajë peng Tiranën, shkarkimi i tij është vulosur nga Rama

Juristja Brisida Gjikondi e ka cilësuar të pakuptimtë ankimimin e ish-Kryebashkiakut Erion Veliaj në Gjykatën Kushtetuese pas vendimit për shkarkimin nga detyra. E ftuar në emisionin “3D nga Alban Dudushi” në RTSH, Gjikondi theksoi se fati i Veliajt tashmë është vulosur nga vendimi politik i Partisë Socialiste (PS).
Sipas Gjikondit, Veliaj nuk mund të mbajë peng kryeqytetin për interesat e tij personale, veçanërisht kur ai nuk gëzon më mbështetjen e drejtuesit të Partisë Socialiste.
Gjikondi argumentoi se vendimi për shkarkimin e Veliajt është kryesisht politik, i ndjekur nga ai administrativ, dhe se lëvizjet e tij ligjore nuk e ndryshojnë dot këtë realitet.
“Veliaj fatin juridik e ka me SPAK. Ai nuk mund të mbajë peng kryeqytetin. Flas në raport me vendimin politik të partisë,” theksoi Gjikondi.
Ajo shtoi se për sa kohë partia ka marrë vendimin politik që Veliaj të shkarkohet dhe do të zëvendësohet nga Ogerta Manastirliu, e gjithë situata është “vulosur”.
“Kur e ka shkarkuar i zoti i shtëpisë [Rama], Rama e emëroi, Rama e shkarkon,” u shpreh ajo.
Kushtetuesja s’mund ta bllokojë procesin
Juristja ngriti argumentin se Gjykata Kushtetuese mund ta deklarojë çështjen si kompetencë të Gjykatës Administrative, pasi shkarkimi ishte një vendim kolegjial i Këshillit Bashkiak.
Ajo theksoi se ankimimi i bërë nga Veliaj nuk e bllokon procesin e zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme.
“Nuk e kuptoj se si mund të vijojë të pretendojë të jetë kryetar bashkie kur partia e ka shkarkuar,” përfundoi Gjikondi, duke nënvizuar se pozicioni i kryebashkiakut është krejt i ndryshëm nga ai i një deputeti si Sali Berisha që është i 140 deputet, ndërsa kryetari Bashkisë është një.
/rtsh.al/