KAJRO – Të paktën 17 të vdekur në sulmet izraelite në Rripin e Gazës

TEL AVIV/KAJRO, 27 nëntor /ATSH-DPA/- Të paktën 17 palestinezë janë vrarë në sulmet e reja izraelite në Rripin e Gazës, njoftuan sot forcat e mbrojtjes civile të kontrolluara nga Hamasi.
“Dhjetë persona u vranë kur një ndërtesë shkolle në qytetin e Gazës u bombardua”, tha një zëdhënës i mbrojtjes civile.
Shtatë të tjerë u vranë gjatë një sulmi në një ndërtesë banimi në lagjen al-Zaytun në veri të brezit bregdetar.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) raportuan se një anëtar i lartë i Hamasit ishte vrarë në sulm – duke shtuar se ai kishte udhëhequr dhe marrë pjesë në sulmet ndaj trupave të IDF-së në Rripin e Gazës.
Autoriteti shëndetësor i kontrolluar nga Hamasi njoftoi se mbi 44 200 njerëz ishin vrarë dhe më shumë se 104 700 ishin plagosur në Rripin e Gazës – që nga fillimi i luftës pothuajse 14 muaj më parë.
Shifrat, të cilat nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur, nuk bëjnë dallim mes civilëve dhe luftëtarëve.
Një përfaqësues i Hamasit tha se organizata militante po këmbëngulte në kushtet e saj të mëparshme për një armëpushim.
Ai tha se megjithëse Hamasi respektonte vendimin e milicisë shiite libaneze Hezbollah për të ndërprerë armiqësitë, populli palestinez nuk ishte i gatshëm të hiqte dorë nga rezistenca e tij kundër Izraelit, pavarësisht vuajtjeve në Rripin e Gazës.
Kushtet e Hamasit kanë mbetur të pandryshuara që nga fillimi i luftës në Gaza.
Ndër të tjera, sipas tyre, lirimi i rreth 100 pengjeve siç kërkohet nga Izraeli varet nga lirimi i një numri të madh të të burgosurve palestinezë dhe një tërheqjeje të plotë të ushtrisë izraelite nga Rripi i Gazës.
Izraeli dëshiron të lërë trupat e tij në pozicione strategjike në territorin e mbyllur.
Në masakrën e kryer nga Hamasi dhe grupet e tjera terroriste në Izrael më 7 tetor 2023, rreth 1200 njerëz u vranë dhe 250 të tjerë u morën peng në Gazë.
Sipas vlerësimeve, gjysma e rreth 100 pengjeve të mbetura besohet të jenë gjallë. //a.i/