LONDËR – BM: Do të respektojmë procesin ligjor për urdhërarrestin e Netanyahut

LONDËR, 27 nëntor /ATSH-DPA/- Britania e Madhe do të respektojë procesin e përcaktuar sipas legjislacionit vendas kur bëhet fjalë për urdhërarrestin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Benjamin Netanyahu, tha sot Downing Street, pasi Franca sugjeroi se mund të mos e zbatonte atë.
Ministria e Jashtme franceze tha se kryeministri izraelit përfiton nga imuniteti pasi Izraeli nuk është anëtar i gjykatës.
“Kur bëhet fjalë për gjykimin e ICC-së, siç kemi thënë më parë, ne nuk do të komentojmë për raste specifike, por ne kemi një proces ligjor të brendshëm në BM – që pason Aktin ICC të vitit 2001 që përfshin konsiderata të ndryshme si pjesë e atij procesi, duke përfshirë imunitetet”, tha zëdhënësi zyrtar i kryeministrit britanik Keir Starmer.
“Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse ne nuk do të parandalojmë procesin ligjor vendas – i cili nuk është përdorur më parë në BM – pasi një i paditur i ICC-së nuk ka udhëtuar kurrë në BM”, shtoi ai.
“Ne respektojmë procesin që është përcaktuar në legjislacionin tonë vendas”, tha zëdhënësi.
Kryeministri francez, Michel Barnier tha këtë javë se Franca do t’i respektonte me rigorozitet detyrimet e saj sipas ligjit ndërkombëtar, një qëndrim i përsëritur nga ministri i Jashtëm francez.
Por, në një deklaratë të mëvonshme me shkrim, Ministria e Jashtme franceze argumentoi se Netanyahu përfiton nga imuniteti – pasi Izraeli nuk është anëtar i gjykatës.
Ministria franceze tha se kjo do të merrej në konsideratë nëse ICC-ja do t’i kërkonte Francës arrestimin dhe dorëzimin e tij.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarrestet, javën e kaluar për Netanyahun, ish-ministrin e tij të Mbrojtjes dhe shefin ushtarak të Hamasit – duke i akuzuar ata për krime kundër njerëzimit në lidhje me luftën 13-mujore në Gazë. //a.i/