E Martë, 3 Nëntor 2026

KANADA – Konflikti izraelito-iranian dominon samitin e G7-s

ALBERTA (Kanada), 15 qershor /ATSH/ – Samiti i G7-s këtë javë në Kanada do të dominohet nga lufta – vetëm jo një nga ato që udhëheqësit botërorë kishin pritur, sipas BBC.

Në krye të agjendës kishte qenë lufta e Rusisë kundër Ukrainës dhe lufta tarifore e Donald Trump kundër partnerëve tregtarë të Amerikës.

Në vend të kësaj, takimi triditor në malet shkëmbore të Albertës do të përqendrohet në mënyrë të pashmangshme në luftën në Lindjen e Mesme.

Vendimi i Izraelit për të sulmuar Iranin do ta detyrojë Grupin e Shtatë fuqive perëndimore të shpenzojnë më pak kohë për çështje të tjera dhe në vend të kësaj të diskutojnë mënyrat e menaxhimit të konfliktit.

Ashtu si shumë nga diskutimet e tyre, kjo do të përfshijë BM-në, Francën, Gjermaninë dhe Italinë – së bashku me Kanadanë dhe Japoninë – që kërkojnë të ndikojnë në Shtetet e Bashkuara.

Sepse, megjithëse Izraeli mund t’i ketë nisur këto sulme pa mbështetjen e qartë amerikane, presidenti amerikan është i vetmi udhëheqës me ndikim të vërtetë mbi kryeministrin Benjamin Netanyahu.

Udhëheqësit e G7-s, që pritet të mbërrijnë sot në Kanada, i dinë rreziqet globale të sigurisë dhe ekonomisë nëse ky konflikt përshkallëzohet, duke tërhequr edhe vende të tjera, duke rritur çmimet e naftës.

Megjithatë, ata mund të kenë vështirësi në arritjen e një qëndrimi të përbashkët.

Disa, si kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer dhe presidenti francez Emmanuel Macron, kanë bërë thirrje për përmbajtje dhe ulje të tensioneve.

Por, të tjerë, si kryeministri i Japonisë, Shigeru Ishiba, e kanë dënuar sulmin e Izraelit si “të patolerueshëm” dhe “jashtëzakonisht keqardhës”.

Nga ana e tij, Trump i vlerësoi sulmet e Izraelit si “të shkëlqyera”./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›