E Hënë, 2 Nëntor 2026

KATAR – Kryeministri Al Thani: Nevojiten detaje dhe negociata të mëtejshme për planin e Gazës

DOHA, 30 shtator /ATSH – DPA/ – Katari vlerëson se është e nevojshme të sqarohet më tej dhe të zhvillohen negociata shtesë lidhur me planin e paqes për Rripin e Gazës, të propozuar dje nga presidenti amerikan Donald Trump.

“Kjo iniciativë është ende në fazat fillestare dhe duhet të zhvillohet dhe të shpjegohet më tej” , tha  sot kryeministri Mohammed bin Abdulrahman Al Thani për kanalin “Al Jazeera”.

Ai theksoi veçanërisht nevojën për “qartësi mbi mekanizmin e tërheqjes së trupave izraelite” nga zona bregdetare.

Sipas Al Thani, plani i prezantuar nga presidenti Trump kërkon “diskutim mbi detajet dhe mënyrën e zbatimit të tyre”.

Ndërsa qëllimi kryesor është përfundimi i luftës midis Izraelit dhe lëvizjes palestineze islamike Hamas, ai shtoi se “nevojiten sqarime dhe detaje të tjera, për të cilat janë të nevojshme negociata”.

Me prezantimin e planit të tij të paqes, Trump ka ngjallur, si shpesh herë më parë, shpresa për një fund të konfliktit në Gaza.

Megjithatë, siç ka ndodhur edhe me propozimet e mëparshme, ekzistojnë pyetje të hapura që pas shpalljes në Uashington kanë hedhur dyshime mbi mundësinë që plani të çojë vërtet në përfundimin e luftës. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›