KAYO shkresë administratorit të Focus Media News: Materialet e gazetarëve mund të tërhiqen pranë Rezervave të Shtetit

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Administratori i kompanisë shtetërore KAYO, Ardi Veliu njoftoi sot se “lirimi i ndërtesës së shoqërisë ‘Focus Media News sh.p.k.’ është kryer në kushte të larta sigurie, në prani të Forcave të Armatosura, duke dokumentuar me procesverbal çdo send të ndodhur brenda saj”.
Në një letër drejtuar administratorit të shoqërisë “Focus Media News sh.p.k.”, Veliu u shpreh se pretendimet për fshirjen e materialeve të gazetarëve janë të pabazuara dhe të pavërteta.
“Materialet e gjetura brenda ambienteve, pas inventarizimit u dërguan pranë Rezervave të Shtetit, me adresë Rruga Bajram Tusha, pranë ish-Gjykatës së Apelit, Shkozet, Durrës”, thuhet në letër
Veliu bëri të ditur se administratori i “Focus Media News sh.p.k.” duhet të paraqitet personalisht pranë Rezervave të Shtetit si i vetmi person i autorizuar, për të marrë sa më parë sendet e gjetura dhe të inventarizuara në objekt.
Në këtë drejtim, kompania shtetërore “KAYO” i ka bërë thirrje administratorit që t’i tërheqë të gjithë bazën materiale.
/m.m/