E Hënë, 2 Nëntor 2026

KIEV – Putin pretendon rrethimin e dy qyteteve ukrainase, Ukraina e mohon

KIEV, 29 tetor /ATSH/ – Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi sot se trupat ruse kanë rrethuar forcat ukrainase në dy qytete kyçe në lindje të Ukrainës dhe ofroi mundësinë e negociatave për dorëzimin e tyre. Zyrtarët ushtarakë ukrainas mohuan fuqishëm këtë pretendim, sipas AP.

Duke folur në një takim me ushtarë të plagosur në një spital ushtarak në Moskë, Putin sugjeroi se ushtria ruse ishte gati të hapte korridore të sigurta për gazetarë ukrainas dhe perëndimorë, “që ata të shohin me sytë e tyre se çfarë po ndodh”.

Ai pretendoi se trupat ukrainase janë të rrethuar në Pokrovsk, një fortesë kyçe ukrainase në rajonin lindor të Donetskut, dhe në Kupiansk, një nyje e rëndësishme hekurudhore në rajonin veripërëndimor të Kharkivit.

Së fundmi, Rusia ka forcuar avantazhin e saj të konsiderueshëm në trupa dhe armë në pika kyçe përgjatë vijës prej rreth 1 000 kilometrash të frontit, pothuajse katër vjet pas pushtimit të fqinjit të saj.

Por Forcat e Armatosura të Ukrainës thanë se pretendimet për rrethimin e Kupiansk nuk janë të vërteta, ndërsa zëdhënësi i forcave ukrainase në lindje, Hryhorii Shapoval, se situata në Pokrovsk është “e vështirë, por nën kontroll”.

Zyrtarët rusë më parë kanë bërë pretendime për kapjen e fortesave ukrainase që më pas kanë rezultuar të pasakta. Verifikimi i pavarur i këtyre pretendimeve nuk ishte i mundur.

Komentet e Putinit vijnë ndërsa ai përpiqet të bindë Shtetet e Bashkuara, që po kërkojnë një marrëveshje paqeje për të ndaluar luftën, se mbështetja për Ukrainën është e kotë, sepse ajo nuk mund të rezistojë ndaj mbizotërimit ushtarak rus.

Ai gjithashtu ka theksuar atë që thotë se është përmirësimi i kapacitetit bërthamor të Rusisë dhe refuzon të ndryshojë objektivat e tij të luftës. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›