KORE E JUGUT – Trump nderohet me kurorën e artë: Marrëveshja tregtare pothuajse e finalizuar

SEUL, 29 tetor /ATSH/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Koreja e Jugut kanë bërë progres në bisedimet tregtare, duke diskutuar detajet e një investimi prej 350 miliardë dollarësh (300 miliardë eurosh) në ekonominë amerikane, pas negociatave dhe ceremonive që përfshinin edhe dorëzimin e një medaljeje ari dhe një kurore për presidentin e SHBA-së, Donald Trump, sipas “Euronews”.
Te dyja këto ishin dhurata nga presidenti i vendit, Lee Jae Myung, ndërsa Uashingtoni dhe Seuli u angazhuan në premtime financiare.
Edhe pse të dyja palët thanë se kishte patur progres, Trump tha se negociatat ishin “pothuajse të finalizuara”, por ende nuk ishte nënshkruar një marrëveshje.
“Marrëveshja kornizë përfshin investime graduale, bashkëpunim në ndërtimin e anijeve dhe uljen e tarifave të Trump ndaj eksporteve të automobilave të Koresë së Jugut”, sipas Kim Yong-beom, sekretari kryesor presidencial për Politikat.
Më herët, Trump e zbuti retorikën e tij mbi tregtinë ndërkombëtare.
“Marrëveshjet më të mira janë marrëveshjet që funksionojnë për të gjithë”, tha ai gjatë një forumi për biznesin.
Trump zhvilloi një vizitë në Korenë e Jugut ndërsa vendi po pret samitin vjetor të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor në Gyeongju – pas udhëtimit të tij në Japoni dhe Malajzi.
Presidenti republikan është përpjekur të nënshkruajë marrëveshje tregtare – i etur për të treguar se qasja e tij konfrontuese ndaj tarifave po u sjell një përfitim amerikanëve – që janë të shqetësuar për tregun e punës – dhe ndërsa mbyllja e qeverisë federale ka vazhduar në javën e saj të pestë.
Megjithatë, Koreja e Jugut ka qenë e vështirë për t’u bindur, pas kërkesës së Trump për investime të drejtpërdrejta në SHBA me vlerë 350 miliardë dollarë.
Zyrtarët koreanë thanë se vendosja e parave të gatshme mund të destabilizojë ekonominë e tyre dhe se ata preferojnë të ofrojnë kredi dhe garanci kredie.
Vendi gjithashtu do të ketë nevojë për një linjë shkëmbimi për të menaxhuar rrjedhën e monedhës së tij në SHBA.
“E kemi përfunduar marrëveshjen tonë pothuajse plotësisht”, tha Trump pas takimit me Lee.
Për momentin, Korese së Jugut i është caktuar një tarifë prej 25% për automobilat, duke i vendosur prodhuesit e automjeteve si “Hyundai” dhe “Kia” në disavantazh ndaj konkurrentëve japonezë dhe evropianë, të cilët përballen me një tarifë prej 15%. //a.i/